Shqiptarët shkëlqejnë në botën e bukurisë, 4 çmime nga Botërori i Parukerisë në Itali!

Katër çmime dhe një sukses që e vendos Shqipërinë mes emrave më të mirë të parukerisë dhe bukurisë profesionale në botë. Ekipi shqiptar kthehet me trofe nga Kampionati Botëror i Parukerisë, i zhvilluar në Paestum të Italisë, më 25 dhe 26 tetor.
Një garë prestigjioze, e organizuar nën autoritetin e CMC, Konfederatës Botërore të Parukerisë, që prej 38 vitesh bashkon profesionistë nga vende të ndryshme. Në skenën botërore, shqiptarët treguan se talenti, teknika dhe përkushtimi nuk njohin kufij.
Në krye të ekipit shqiptar, Azem Sheshi, berberi që nga konkurrent rikthehet këtë herë si drejtues i “Team Albania” dhe anëtar i jurisë. Pas shtatë vitesh, ai e sheh këtë rrugëtim si një vlerësim të punës dhe përkushtimit të tij.
Por historia e Azem Sheshit është edhe më e veçantë. 30-vjeçari nga fshati Kalush nisi të punojë si berber që në moshën 16-vjeçare, duke eksperimentuar me flokët e bashkëfshatarëve të tij.
Sot, ai bën show në rrugët e Veronës, me teknika të pazakonta, prerje me djegie dhe madje me sy mbyllur.
Një talent që u rrit nga besimi i njerëzve të vendlindjes dhe guximi për të provuar gjithmonë diçka të re. Pjesë e këtij suksesi është edhe Jolanda Dokaj, e cila prej 20 vitesh jeton në Itali dhe drejton sallonin e saj në Verona.
Me një karrierë të pasur dhe pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, ajo ka dëshmuar se pasioni për flokët kthehet në një art më vete. Nga Vlora, Lindita Gjyzeli, grimere dhe parukiere, është një tjetër emër që përfaqësoi Shqipërinë në këtë skenë prestigjioze.
Për të, konkurset botërore janë mundësi për të matur eksperiencën, për të ndarë teknikat dhe për të çuar profesionin në nivele të reja. Sot, Azem Sheshi, Jolanda Dokaj dhe Lindita Gjyzeli ishin në “ABC e Mëngjesit” për të rrëfyer emocionet e garës, sfidat dhe krenarinë e përfaqësimit të Shqipërisë në botën e bukurisë profesionale./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

