Shtohen divorcet, ulen martesat, gratë janë ato që i drejtohen më shumë Gjykatës për nisjen e procedurave

25 divorce për 100 martesa. Janë këto disa nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për vitin 2024, i cili ka shënuar edhe nivelin më të lartë të ndarjeve në raport me martesat gjatë 5 viteve të fundit. Shifrat ngrejnë pikëpyetje mbi stabilitetin e familjes dhe faktorëve të cilët po ndikojnë në ndryshimin e strukturës së saj.
“Ka shumë kërkesa për divorc dhe kryesisht nga emigrantë të cilët janë familje të konsoliduara me një, me dy apo me tre fëmijë. Kryesisht grupmoshat 50-60 vjeç e cila trajton jashtëzakonisht shumë si aspektet e dhunës në familje, ashtu edhe të ndërprerjes së lidhjeve familjare burrë-grua. Fakti që vajzat janë bërë më të lira, kanë më shumë mundësi jetese, kanë fituar një farë pavarësie ekonomike”, shprehet avokat Ylli Kameri.
“E para është roli dhe fuqizimi i gruas. Është më e arsimuar, më e emancipuar, ka një pavarësi financiare dhe ka pritshmëritë e saj në lidhje me partnerin, në lidhje me bashkëshortin. Arsye të tjera janë problemet ekonomike në shoqërinë shqiptare, stabiliteti ekonomik i cili bëhet shpeshherë shkak për konflikte në familjet shqiptare.”, sociologe Eva Sinanaj.
Nga ana ligjore, mbetet dominuese prirja që gratë janë ato që nisin procedurat e divorcit. Sipas juristëve, burrat janë më pak të predispozuar të nisin procese gjyqësore, shpesh edhe nga presioni familjar apo kulturor.
“Palët që hapin divorcet janë gratë, nënat, më rrallë janë bashkëshortët, të cilët janë më pak të predispozuar të hapin procese gjyqësore; kjo mund të lidhet edhe me aspekte të familjes”, tha avokati.
Çfarë pasojash mund të sjellë ky fenomen në të ardhmen, dhe çfarë politikash duhet të ndërmerren për t’ju ardhur në ndihmë çifteve të reja?
“Një konflikt i zgjatur për sa i takon kujdestarisë për fëmijët dhe një mungesë profesionalizmi çon dhe në tragjedi. Janë edhe problemet e fëmijëve të mitur, pasi mund të kesh foshnja por edhe adoleshentë të cilët nuk e përtypin dot divorcin e prindërve. Nëse trajtohen pa kujdesin e duhur mund të ketë dhe pasoja.”
“Politikat sociale mbështetëse sa i takon strehimit të familjeve të reja, kredive të buta, institucioneve këshillimore paramartesore, dhe shumë politika sociale kur kanë fëmijë; sa lehtësuese janë politikat sociale sa i takon jetës familjare kur kanë fëmijë”, u shpreh sociologia Sinanaj.
Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se, megjithëse divorci po rritet në raport me martesat, numri i përgjithshëm i tyre në 2024 ra me 65 raste krahasuar me vitin 2023, duke arritur në 4,100 divorce. Po ashtu, u regjistruan 16,120 martesa, me një rënie prej 7.7% krahasuar me një vit më parë.
/vizionplus.tv