Shtohen kontrollet për sigurinë ushqimore gjatë festave

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar kontrollet dhe këshillimet në terren për garantimin e sigurisë ushqimore, bën të ditur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Sipas ministrit, kjo nismë po zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Shijo Festat me Siguri”, e cila synon rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në një periudhë kur konsumi i produkteve ushqimore shënon rritje të ndjeshme.
Qarku i Vlorës ishte ndalesa e radhës e grupeve të AKU-së, ku fokusi kryesor ishte orientimi dhe këshillimi i operatorëve të biznesit ushqimor mbi rëndësinë e etiketimit të saktë të produkteve ushqimore të paketuara.
Salla nënvizoi se etiketimi në përputhje me legjislacionin në fuqi nuk është vetëm një detyrim ligjor për subjektet tregtare, por një element kyç për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e transparencës ndaj tyre.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se kontrollet dhe aktivitetet informuese të AKU-së do të vijojnë edhe në qarqe të tjera të vendit gjatë gjithë periudhës së festave, në bashkëpunim me operatorët e biznesit ushqimor, me qëllim garantimin e produkteve të sigurta dhe cilësore për qytetarët.
Fushata synon gjithashtu rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për rëndësinë e leximit të etiketave ushqimore dhe zgjedhjen e produkteve që përmbushin standardet e sigurisë.
/e.xh/j.p/r.e/