E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen rastet me alergji gjatë verës, mjekët apel për kujdes ndaj simptomave veçanërisht në lëkurë

Stina e verës shoqërohet me një rritje të ndjeshme të rasteve me alergji, ku më të përhapurat mbeten rinitet alergjike dhe urtikariet.

Temperaturat e larta, prania e poleneve në ajër dhe ekspozimi më i madh në ambiente të hapura ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e simptomave tek personat e ndjeshëm.

“Sezoni në të cilin jemi shtohen alergjitë sidomos rinitet alergjike dhe urtikariet. Simptomat e tyre janë rrjedhje hundësh, sekrecione, kruarje sysh, kurse urtikariet janë alergji që dalin në lëkurë”, u shpreh mjeku alergolog, Egir Lezha.

Alergologu, Egir Lezha thekson se, ndonëse një pjesë e alergjive shfaqen me simptoma të lehta, ka raste që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Sipas tij, reaksionet e forta alergjike, sidomos ato të shoqëruara me vështirësi në frymëmarrje apo ënjtje të theksuar, duhet të trajtohen si urgjencë për të shmangur komplikacionet serioze.

“Ka urtikarie akute dhe kronike dhe kur simptomat janë të rënda duhet të paraqiten në urgjencë për të marrë mjekimin e duhur”, tha mjeku.

Mjekët bëjnë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë shenjat e para të alergjisë, duke kërkuar ndihmë mjekësore në kohë dhe duke ndjekur trajtimin e rekomanduar.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›