Shtyhet amnistia penale, avokati Kaziaj: Të dënuarit po kërkojnë sqarim, ligji duhet të jetë transparent

Amnistia penale, e cila ishte parashikuar të hynte në fuqi më 6 shkurt, do të shtyhet. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili deklaroi se procesi kërkon më shumë kohë për t’u sinkronizuar me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit, përafrimi me praktikat dhe kriteret e BE-së konsiderohet një element kyç për hartimin e ligjit të amnistisë. Ndërkohë, rreth 450 të burgosur pritej të përfitonin nga lirimi në afatin fillestar të parashikuar.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe avokati Altin Kaziaj, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, i cili u shpreh se aktualisht ekziston vetëm një draft i ligjit, ndërsa procesi i miratimit ka mbetur pezull prej muajsh.
Sipas tij, paqartësia ka krijuar shqetësim te personat që janë në ndjekje penale apo që vuajnë dënimin dhe presin të mësojnë nëse do të përfitojnë nga amnistia.
“Ne avokatët kemi marrë shumë telefonata nga klientët që kërkojnë të dinë nëse përfshihen apo jo në amnisti. Këto shtyrje rëndojnë edhe punën tonë, pasi duhet të japim shpjegime për çdo informacion që publikohet”, tha Kaziaj.
Ai shtoi se deri te amnistia e fundit, ajo e vitit 2024, nuk ishte përmendur nevoja për pritjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe u shpreh skeptik për vonesat e reja.
Megjithatë, avokati shtoi se mbetet për t’u parë nëse reforma synon një ligj më të plotë apo nëse pas shtyrjeve fshihen interesa të caktuara politike.
“Deri në amnistinë e 2024-s që ka qenë amnistia e fundit, ligji 33-2024 nuk ka pasur ky voks populli i madh që duhet të presin këto pjesën e BE-së që duhet të marrim rastet më të mira për të amnistuar dhe për të futur në kategorinë e përfituesve nga amnistia. Unë nuk duhet ta vë dyshim atë që tha zoti Gogu. Mbase zoti Gogu do jetë një riformator i i Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkon që të bëjë sa më të saktë një ligj për të cilin propozimi vjen nga vetë nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga vetë Ministria e Drejtësisë.
Kështu që nuk do dua që të jetë ajo politika e rëndomtë që presim dhe ca të tjerë që të merren përgjegjësi penale duke qenë se janë disa politikanë që po hetohen ose disa persona me ushtrim të fortë të ndikimit administrativ që ka nëpër detyrat e tyre dhe pastaj t’i bëjmë amnistinë në mënyrë që ta amnistojmë dhe këta. Unë jam pak skeptik te këto pjesët e pritjes për shkak se duhet që të marrim produktin më të mirë të BE-së dhe pastaj ta formësojmë në ligj sesa te pjesa alla shqiptarçe që kemi parë gjithmonë që ligjet në Shqipëri bëhen pak për disa kategori të caktuara personash dhe për deduksion përfitojnë të tjerë”, u shpreh ai.