E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shtyhet për nesër dëshmia e ish-ministrit Beqaj përpara Komisionit Hetimor të kontratave në Shëndetësi

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj përpara Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up-in në Shëndetësi u shty për ditën e nesërme në orën 10:30 pasi deputetët nuk arritën në dakordësi për të vijuar me marrjen e  dëshmisë së tij.

Mbledhja e sotme që zgjati rreth 9 orë, u karakterizua nga debate dhe tensione të vazhdueshme mes kryetares së komisionit, Albana Vokshi dhe nënkryetarit, Plarent Ndreca.

Debati nisi pasi Vokshi pyeti ish-ministrin Beqaj nëse do të bënte një deklaratë të kontestualizuar dhe ky i fundit kërkoi që të flasë përmes një prezantimi ‘powerpoint’, me foto dhe video të fakteve dhe të dhënave sesi e gjeti shëndetësinë.

Pas kësaj kërkese, kryetarja Vokshi nuk ka lejuar që Beqaj të vijonte me prezantimin, pasi u shpreh se ligji e lejonte të jepte vetëm një deklaratë.

Deputetët e mazhorancës kërkuan ta hidhnin në votim këtë kërkesë të ish-ministrit Beqaj, por Vokshi nuk pranoi.

Nënkryetari Ndreca akuzoi opozitën dhe kryetaren e komisionit, Albana Vokshi, për pengimin e të drejtës së tij për të folur, duke theksuar se komisioni është shtyrë prej muajsh dhe tani po kufizohet e drejta e Beqajt për të paraqitur deklaratën e tij.

Pas rreth 9 orë debatesh deputetët vendosën që ish-ministri Beqaj ta vijojë nesër dëshminë e tij përpara Komisionit Hetimor. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›