Shuhet Kryepeshkopi Janullatos, udhëheqësi i kishës ortodokse shqiptare ndërron jetë në moshën 95-vjecare

Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos.
Prej ditësh, Kryepeshkopi ndodhej i shtruar në spital në Greqi, në gjendje kritike për jetën, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për trajtimin e një episodi hemorragjik.
Peripecia shëndetësore e hierarkut 95 vjeçar, Fortlumturisë së tij, filloi që prej 30 Dhjetorit të 2024 kur u shtrua në fillim në një spital në Tiranë, me simptoma të infeksionit të rëndë. Ndërsa në 3 janar pasi gjendja e tij shëndetësorë u përkeqësua u transferua me një avion drejt Athinës.
Anastas Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë. Që në moshë të re iu dedikua fesë, me të cilën jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtësisht. Ka qenë profesor i Historisë së Feve dhe Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës. Ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë apo Doktor Nderi i Filozofisë, nga 19 universitete, fakultete ose degë universitare nga vende të ndryshme të botës.
Në vitin 1991, Janullatos u caktua nga Patriarku Ekumenik Eksark në Shqipëri. Në qershor 1992, ai u zgjodh Krypeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe në 2 gusht 1992 u fronëzua në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë.
Në vitin 2017 Presidenti i Republikës së asaj kohe Ilir Meta i ka dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale, një kërkesë që ky i fundit kishte berë që në vitin 1992.
Kryepeshkopi njihet për veprat e bamirësisë brenda dhe jashtë kufijve shqiptar. Gjatë periudhës kritike të Kosovës në 1999, organizoi një program të gjerë humanitar, që ndihmoi rreth 33.000 refugjatë në vende të ndryshme të Shqipërisë me një shumë që arrin disa miliona dollarë për atë kohë.
Po ashtu ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërtoi 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera, themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme, shkolla, qendra mjekësore, spitale, kopshte, universitete, shtëpi pritjeje etj. Kreu i kishës ortodokse në Shqipëri gjatë 34 viteve në vendin tonë do të njihet si personi që pas rënies së komunizmit dhe rikthimit të besimeve fetare luajti një rol të rëndësishëm në balancat e harmonisë fetare në Shqipëri.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos e lidhi Kishën me organizata ndërkombëtare kishtare duke e rradhitur atë në krah të simotrave të tjera ortodokse në botë.
Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve.