E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumë vetë dëshirojnë që Gjermania të ketë për herë të parë një grua në postin e kreut të shtetit.

Presidenti aktual i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, pasi kushtetuta gjermane lejon vetëm dy mandate. Kjo e lë të hapur garën për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe ka ringjallur debatin nëse ka ardhur koha që Gjermania të ketë për herë të parë një presidente.

Ish-kancelarja Angela Merkel është shprehur në favor të kësaj ideje, duke theksuar se deri më sot asnjë grua nuk e ka mbajtur postin e presidentit federal dhe se ka ardhur koha qv kjo të merret seriozisht në konsideratë. Në një intervistë për MagentaTV, ajo tha se njeh gra të afta për ta ushtruar këtë detyrë, por pa përmendur emra konkretë.

Kush e zgjedh presidentin?

Presidenti i ri do të zgjidhet më 30 janar nga Asambleja Federale (Bundesversammlung), një organ kushtetues që mblidhet vetëm për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Bundesversammlung përbëhet nga të gjithë deputetët e Bundestagut dhe nga një numër i barabartë delegatësh të zgjedhur nga parlamentet e 16 landeve federale. Këta delegatë mund të jenë politikanë, por edhe personalitete nga fusha të tjera të jetës publike, si kultura, sporti ose shkenca. Asambleja shpërndahet menjëherë pas përfundimit të votimit.

Ndryshe nga vende si Shtetet e Bashkuara, Franca apo Rusia, presidenti gjerman nuk ka kompetenca të gjera ekzekutive dhe nuk drejton qeverinë. Roli i tij është kryesisht përfaqësues dhe ceremonial, duke shërbyer si kreu i shtetit, simbol i unitetit kombëtar dhe autoritet moral i vendit.

Pasardhëset e mundshme të Steinmeierit

Mes emrave që po përmenden si pasardhëse të mundshme të Steinmeierit janë kryetarja e Parlamentit të Bavarisë, Ilse Aigner, e mbështetur nga lideri i CSU-së Markus Söder, si dhe kryetarja e Bundestagut Julia Klöckner, ministrja e Arsimit Karin Prien dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer, të gjitha nga radhët e CDU-së.

Këtë herë propozimi me më shumë shance për kandidatin për president pritet të vijë nga blloku konservator i kancelarit Friedrich Merz (CDU/CSU), partneri kryesor në koalicionin qeverisës me SPD-në. Meqenëse CDU-ja, CSU-ja dhe SPD-ja kontrollojnë shumicën e delegatëve në Bundesversammlung, kandidati që do të mbështetet nga këto tri parti konsiderohet favorit i qartë për t'u zgjedhur presidenti i ardhshëm i Gjermanisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›