E Martë, 3 Nëntor 2026

Si po udhëheq Edi Rama fushatën e opozitës

Nga Mero Baze

Të gjitha kritikat ndaj stilit të fushatës së Edi Ramës mund të hapnin debat. Mund të hapej debat përzgjedhja e Bufit si simbolikë e Kënetës, përzgjedhja e Lulit për gallatë, përzgjedhja e grave si aleate kundër burrave dembelë të Shqipërisë, përzgjedhja e të rinjve në politikë pa ndonjë filtër, e shumë gjëra të tjera.

Por problemi kryesor që ka fushata e Edi Ramës tani është se ajo po udhëheq opozitën.

Fillimisht harxhuan energji pa fund për të pastruar biografinë e Bufit si shpend, duke e nxjerrë të preferuarin e Afërditës në Greqinë e Lashtë dhe simbol të zgjuarsisë. Epo mirë, atëherë ramë dakord që Berisha është Buf i zgjuar.

Pastaj iu turrën Lulit: “Pse Rama të var ty, e nuk i vë veshin Doktorit?” E lartësuan Lulin, e nxorën nga anonimiteti në krye të rrjeteve sociale për një javë, derisa e kuptuan gabimin.

Pastaj i mori Rama përdore në Dibër dhe u shau burrat “çyryk”. Këtu nuk duruan fare – dhe disa me “q” e disa me “ç” – filluan të na shpjegojnë që nuk janë ç(q)yrk, por janë burra zakoni, se i kanë gratë burrnesha. Ndërkohë që Rama vazhdon e shpjegon, si gjoja i indinjuar, se kush janë “çyrykët” që ka ai parasysh, ata ngulin këmbë se nuk janë “çyryk”, në kor, nga Kukësi në Konispol.

Më tej Rama shkon në Spille dhe u kujton opozitarëve fushatën e 2007-s, kur i botuam fotot nudo, duke u thënë të rinjve: “E dini ç’më kanë bërë? Edhe fotot nudo m’i nxorrën!” Dhe këta tani kanë tre ditë që ankohen: “Pse u thua të rinjve që të kemi nxjerrë fotot nudo, se kjo është turp. Kërkon që të rinjtë të të shikojnë ty nudo?”

Tani, unë e kam humbur një fushatë me ato foto nudo, duke mbështetur Olldashin, dhe i vetmi që nuk donte të botoheshin ishte Olldashi. Ndërsa ai që i botoi forcërisht ishte Berisha.

Po si mund të fitosh një fushatë më 2025 me një budallallëk që e ke bërë vetë më 2007 – vetëm Berisha e di.

Pastaj vijon dialogu i Ramës me Vrenozin, të cilin e fut në podcast, por ai nuk pranon dhe shpërthen një entuziazëm i madh opozitar që nuk zgjat. Dhe për të forcuar besnikërinë, e nxjerrin para një salle me fëmijë dhe ai tregon sa të gjatë e ka pasur Ramën para 15 vitesh dhe sa të vogël e ka tani.

Pra, siç e shikoni, e gjithë fushata e opozitës, nga fillimi në fund, po udhëhiqet nga Rama. Ai zgjedh temat, ai zgjedh partnerët, ai zgjedh gallatat, ai zgjedh viktimat dhe PD-ja e Berishës shkon pas.

Tani në fushatë elektorale media e ka me ligj që duhet të pasqyrojë fushatën dhe nuk mund ta injorojë këtë realitet. Është e detyruar të shikojë se si Edi Rama udhëheq edhe fushatën e vet edhe fushatën e opozitës.

Dhe mirë bën, se siç shihet qartë, Berisha është burrë plak me demencë dhe nuk duhet të mbajë shumë ngarkesë. Ka kush punon për të.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›