E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u pastruan paratë e drogës, detaje nga dosja e SPAK që goditi Artur Shehun, Ilir Shtufin dhe vëllezërit Koçeku

Amerika Latine dhe disa shtete të Europës ishin bazat që disa biznesmenë të fuqishëm të Shqipërisë kishin ngritur prej vitesh sa i takon trafikimit të tonelatave të kokainës.

Në dosjen voluminoze dhe mbase më të të fortë të realizuar nga Prokuroria e Posaçme, janë specifikuar vendet si Spanja, Belgjika, Gjermania apo dhe Amerika, shtete ku biznesmeni Artur Shehu dhe anëtarët e tjerë të grupit të Alfredo Hamzait, nga vitet 2018 deri në 2021 takoheshin për të koordinuar trafikun e drogës.

Pjesa më e madhe e parave të përfituara nga ky aktivitet, silleshin në Shqipëri duke i investuar në prona, pallate, bregdet, por edhe në ngritjen e kullave.

Këto takime janë kryer para operacionit të trafikut të drogës që ndodhi në Barcelonë në janar 2020 ku u sekuestruan 441 kg kokainë dhe ku u arrestua kushëriri i Alfredo Hamzait.

Ndërsa në Monako, takimi kishte si qëllim koordinimin e trafikimit të kokainës në Evropë.

Për SPAK, një ndihmë e madhe në hetime ka qenë dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët, ku në disa raste autoritetet belge i kanë sjellë informacione për këto takime dhe investimet e biznesmenëve në pasuri të paluajtëshme.

Një tjetër pikë në hetime janë dhe takimet në ishullin e Arubas. Autoritetet e huaja tregojnë saktëishst se nga data 24 deri më 31 janar të vitit 2019, Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama, Artur Shehu dhe Bujar Shehaj, kanë qëndruar në ishullin e Arubas ku janë takuar dhe me disa zyrtarë. Të gjitha këto informacione janë në fazën e hetimit, pasi mungojnë provat.

Artur Shehu, emri i të cilit u bë publik kohët e fundit si një nga pronarët më të mëdhenj të Zvërnecit, sipas hetimeve rezulton si një nga kokat e organizatës të trafikimit të drogës.

Paratë e grupit kriminal, sipas SPAK, ndaheshin në disa faza për realizimin e pastrimit në Shqipëri.

Ndërkohë SPAK në njoftimin e tij zyrtar tha se janë lëshuar 20 masa sigurie ndërkohë që janë sekuestruar prona në Tiranë, Vlorë, Himarë me vlerë dhjetëra  miliona euro.

Mes fletëarresteve të prera bën pjesë biznesmeni i shumëpërfolur, Artur Shehu, masë që nuk është ekzekutuar pasi ai ndodhet në SHBA me azil politik.

Sipas organit të akuzës ai akuzohet për pastrim parash, i financuar nga vëllezërit narkotrafikantë, Erion dhe Adrian Rama.

Nën akuzë është edhe biznesmeni i njohur i ndërtimit Ilir Shtufi, i cili është arrestuar në Greqi.

SPAK me kërkesë të dy prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini urdhëruan edhe arrestimin e vëllezërve Koçeku: Arturit që dyshohet si koka e grupit kriminal, si dhe Abedinit dhe Ervinit.

Ata nuk u vunë pas hekurave, pasi ndodhen në Dubai.

Por SPAK disponon prova për trafikun e drogës që të realizuar prej tyre nga vendet e Amerikës Latine.

Sipas Prokurorisë ishte biznesmeni Ilir Shtufi, ai që pastronte paratë e tyre.

Ndërkohë, në qeli për të njëjtën vepër penale përfundoi biznesmeni Orest Sota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›