E Hënë, 2 Nëntor 2026

Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) mirëpriti sot një delegacion nga institucionet homologe të Republikës së Kosovës, në vijim të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike.

Delegacioni nga Kosova kryesohej nga Lulëzon Jagxhiu, këshilltar për Teknologjinë e Informacionit pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dhe përfshinte përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike dhe transformimin digjital.

Sipas AKSK-së, “vizita u fokusua në prezantimin e veprimtarisë së AKSK, kuadrit ligjor dhe rregullator, strukturës funksionale dhe kapaciteteve operacionale, përfshirë proceset e monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me aktorët e tjerë në vend”.

Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi se ndërtimi i një partneriteti me institucionet homologe të Kosovës është pjesë e vizionit të qeverisë për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel rajonal. Ai u shpreh se shkëmbimi i praktikave dhe përvojave konkrete është thelbësore për të adresuar sfidat gjithnjë në zhvillim të hapësirës digjitale.

Vizita, sipas AKSK-së, “konfirmoi angazhimin e ndërsjellë për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për sigurinë kibernetike, në funksion të një objektivi të përbashkët për mbrojtjen e hapësirës sonë digjitale dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel kombëtar dhe rajonal”.

1 nga 8

/m.q//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›