Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Numri i lartë i turistëve të huaj dhe atyre vendas, në pikun e sezonit turistik për këtë vit, ka bërë që Policia Rrugore të dalë me një plan masash shtesë për mirëmenaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik si dhe minimizimi i numrit të ngjarjeve rrugore.
Policia Rrugore ka krijuar disa Njësi të Posaçme Policore, sidomos në zonat me trafik të dendur automjetesh për një mirëmenaxhim të situatës së trafikut rrugor.
“Janë marrë masa për krijimin e disa nukleve të reja që do të jenë me shërbim vetëm për sezonin turistik. Janë nukli në Ksamil, Himarë, Manzë dhe Velipojë”, tha drejtuesi Artur Selimaj.
Sipas Selimajt, “fokus shumë i lartë në planin e masave të Policisë Rrugore në këtë sezon turistik janë përdorimi i pajisjeve dhe teknologjisë, kamerat, radarët dhe pajisjet e tjera që do të zëvendësojnë pjesën e shërbimeve fizikisht në rrugë. Mbikëqyrja e trafikut do të jetë e monitoruar 24 orë në të gjithë territorin, kryesisht në akset kryesore që kanë fluksin më të lartë të lëvizshmërisë”.
Sa i përket trafikut të rënduar nëpër qytetet kryesore bregdetare, Policia ka një apel për të gjithë ata drejtues automjetesh që njohin rrugët alternative.
“Në qytete siç është Vlora, Durrësi apo Shkodra, qytetarët që njohin rrugët alternative është mirë që të mos përdorin rrugët kryesore, me qëllim që të çlirojmë sadopak fluksin e lëvizjes”, tha ai.
Plani i masave i hartuar nga Policia Rrugore synon menaxhimi e trafikut, uljen e numrit të aksidenteve, evidentimin e shkeljeve me dhe pajisje teknologjie 24 orë në 24.
/e.i//a.f/