E Hënë, 2 Nëntor 2026

Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë janë sekuestruar 32 tonë mall pa faturë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/Aksioni i përbashkët i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore ka vijuar në të gjithë vendin për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga mallrat blegtorale dhe të mishit që janë sekuestruar nga inspektorët tatimorë pasi janë gjetur pa faturë tatimore.

Në 6 ditët e para të këtij aksioni, janë sekuestruar 32 tonë mallra ushqimore, qumësht, djathë dhe mish pa faturë tatimore.

Rama shprehet se ky aksion do të vazhdojë deri në fund.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, deklaron Kryeministri Rama.

Ky aksion ka nxjerrë në pah nevojën për formalizim të plotë të këtij sektori, si një element thelbësor për cilësinë e produkteve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, aksion që sipas autoriteteve, do të vazhdojë me zero tolerancë ndaj kujdo që shkel ligjin. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›