Siguria ushqimore,testi i radhës drejt BE, kërkohet më shumë koordinimi si dhe kontroll për sigurinë

Mbrojtja e konsumatorit është një shtyllë thelbësore për funksionimin e një tregu të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Për këtë, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë diskutuan mbi nevojën për produkte të sigurta në treg, sfidat aktuale dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Sipas Ersida Telitit nga Qendra e Konsumatorit Shqiptar, garantimi i sigurisë së produkteve dhe shërbimeve është një përgjegjësi e përbashkët.
“Procesi i integrimit europian kërkon që jo vetëm standardet dhe legjislacioni të jenë në përputhje me ato të BE-së, por mbi të gjitha kërkon një zbatim efektiv të tij, në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve.”
Zv. Ministri i Ekonomisë, Enkelejd Hysabell, i cili është njëkohësisht përgjegjës për kapitullin e mbrojtjes së konsumatorit, u shpreh se ligji shqiptar tashmë është përafruar me direktivat e BE-së.
“Duke bërë të mundur që konsumatori shqiptar të gëzojë të njëjtën mbrojtje me atë të vendeve të BE-së.”
Blerina Gjylameti, drejtoreshë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), institucion që mbulon komponentin kryesor në fushën e mbrojtjes së konsumatorit – sigurinë ushqimore – u ndal tek aspekti social i kësaj mbrojtjeje.
“Nuk ia dalim vetëm me kontrollet zyrtare me bazë risku, nuk ia dalim vetëm me rritjen e kapaciteteve në pikat kufitare, por duhet të vijojmë më tutje. Për këtë arsye, gjatë vitit që shkoi AKU ka bashkëpunuar për të ndërmarrë disa fushata ndërgjegjësuese me bizneset ushqimore për të përmirësuar standardet e tyre, por edhe me qytetarët.”
Sipas të pranishmëve, informimi mbetet një hallkë ku duhet përshpejtuar puna.
Studimet tregojnë se të rinjtë kanë njohuri të përgjithshme për sigurinë dhe të drejtat e tyre, duke u kufizuar shpesh vetëm te leximi i etiketave ose te të dhënat që gjejnë online.