Sinjalizuesit, arma më e fortë kundër korrupsionit

PRISHTINË, 8 dhjetor/ATSH/- Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Forumi Konsultativ me Shoqërinë Civile, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kanë kërkuar rikthim të fokusit në integritetin institucional, forcim të llogaridhënies dhe eliminim të praktikave korruptive në sektorin publik.
Drejtori i APK, Yll Buleshkaj tha në hapje të aktivitetit se integriteti duhet të jetë detyrim i secilit institucion dhe se sinjalizuesit mbeten një shtyllë thelbësore në identifikimin e shkeljeve.
Udhëheqësi i divizionit për integritet dhe strategji në APK, Burim Sadiku prezantoi raportin e monitorimit të planeve të integritetit në institucionet publike, duke theksuar nevojën për cilësi më të lartë të raporteve.
Profesori universitar, Bekim Baliqi foli për sfidat e implementimit të rregulloreve dhe planeve të integritetit, duke theksuar se mungesa e burimeve e vështirëson zbatimin real të tyre. /KosovaPress//r.e/