E Diel, 1 Nëntor 2026

Siti i ri arkeologjik në Zgjanë, Gonxhja: Mbërrijnë vizitorët e parë në kompleksin termal romak

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Vizitorët e parë kanë mbërritur në sitin arkeologjik të Zgjanës në Lushnjë, ku zbulimi i kompleksit termal romak po tërheq turistët e parë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale pamje nga vizitat e turistëve në këtë sit arkeologjik.

“Një pasuri e re për trashëgiminë tonë kulturore, me potencial për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm të turizmit arkeologjik”, tha Gonxhja.

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë kanë zbuluar në fillim të qershorit këtë sit të ri arkeologjik në fshatin Zgjanë.

Gërmimet kanë nxjerrë në dritë gjurmët e një kompleksi termal të periudhës romake dhe ambienteve të lidhura me të. Ky zbulim arkeologjik konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në zonën e Lushnjës, në dekadat e fundit.

Specialistët e IKTK-së do të vijojnë kërkimet dhe pritet të sjellin të dhëna të reja mbi historinë e zonës, duke shtuar potencialisht një monument të ri kulture dhe një atraksion të rëndësishëm për turizmin kulturor.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›