Situata e zjarreve, PL propozon katër masa emergjente

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi propozoi sot katër nisma për përballimin e situatës së zjarreve, duke nisur nga shpallja e fatkeqësisë natyrore, te pagesat shtesë të menjëhershme për zjarrfikësit.
Duke folur për situatën e zjarreve, Blushi u shpreh se në shumë zona të vendit, situata është jashtë kontrollit.
“Është jo vetëm e papranueshme, por krim me dashje, që pas vitesh zjarresh shkatërruese, Edi Rama vijon të ulë fondet për emergjencat civile kur ndërkohë vit pas viti emergjencat shtohen dhe Shqipëria ende nuk ka as edhe një avion të vetin zjarrfikës.
Pamjet dramatike të zjarrfikësve që luftojnë me flakët me degë shkurresh, pa pajisjet, mjetet dhe veshjet profesionale që kërkon një ndërhyrje e tillë është skandaloze”, tha ai.
Blushi shprehu mirënjohjen për sakrificat e zjarrfikësve, që po përballen me flakët në vijën e parë të betejës duke kryer me shumë përgjegjshmëri detyrën e tyre, por sipas tij, “nuk mund të kërkosh heroizëm nga zjarrfikësit për të fshehur paaftësinë e shtetit”.
“Këta heronj që paguhen me paga qesharake, përballen me rrezikun çdo ditë dhe, për më tepër, ende nuk kanë marrë shpërblimin që u takon dhe as pagesat për orët shtesë të punës në këto ditë të jashtëzakonshme”, tha ai.
Blushi theksoi se Partia e Lirisë kërkon shpalljen pa asnjë vonesë të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarret, me qëllim garantimin e dëmshpërblimit të plotë për qytetarët që kanë humbur pronat dhe pasuritë e tyre.
“I kërkojmë Presidentit të Republikës të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për një strategji të përbashkët dhe koordinim real të të gjitha institucioneve, duke mobilizuar çdo burim kombëtar dhe duke siguruar mbështetjen ndërkombëtare të nevojshme”, shtoi ai.
Po ashtu, Blushi theksoi se “qeveria duhet t’i drejtohet menjëherë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, sepse në këtë situatë prioritet absolut është shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e pasurive publike e private”.
Po ashtu, Partia e Lirisë kërkon kryerjen e pagesës së menjëhershme të të gjitha orëve shtesë për zjarrfikësit, dhënien pa as më të voglën vonesë të së paku një page shpërblim dhe pajisjen e të gjithë atyre që janë në vijën e parë të luftës me flakët me të gjitha mjetet dhe veshjet e duhura profesionale.
Blushi u bëri thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura nga zjarri, të solidarizohen, të vetëorganizohen dhe të mos e braktisin njëri-tjetrin, por të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe pasuritë e tyre.
/m.m/a.f/r.e/