E Hënë, 2 Nëntor 2026

Situata me Focus Media Group, Zhupa: Po cenohet e drejta e informimit

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa shprehu sot shqetësimin lidhur me situatën e Focus Media Group dhe mediet e saj. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa tha se “është shqetësues fakti se edhe pas vendimit të Gjykatës së Tiranës Nr Rre. 806, date 11.08.2025, hyrja në ambientet e Panorama Group vijon të jetë e bllokuar me forca policore”. “Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, thellësisht e shqetësuar për cënimin e një të drejte kushtetuese dhe për lirinë dhe mbrojtjen e gazetarëve kam kërkuar informacion zyrtar në lidhje me situatën e paprecedent me Focus Media Group. Prej disa ditësh është bllokuar hyrja e gazetarëve të Focus Group Media në godinat e këtij grupi mediatik, janë rrëmbyer pajisjet e gazetarëve dhe materialet e punës së tyre investigative, është cenuar liria e shprehjes dhe cilësia e transmetimit të medias në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë”, theksoi Zhupa. Zhupa tha se “raportimet tregojnë se gazetarët dhe stafi teknik nuk kanë ende mundësi të hyjnë as nga hyrje alternative, duke mbetur pa qasje në pajisjet e tyre dhe në materialet e punës që përmbajnë informacione me rëndësi publike”. “Ky mosveprim po pengon ushtrimin e detyrës dhe po dëmton drejtpërdrejt të drejtën e informimit të qytetarëve. Pse po shkelet vendimi i Gjykatës së Tiranës? Mbi cilën urdhër po veprohet në shkelje të vendimit? Kush pengon gazetarët dhe median në misionin e informimit të publikut? Interesi publik është që gazetarët të ushtrojnë detyrën e tyre dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës së Tiranës duke mundësuar transmetimet e grupit mediatik Focus Media Group”, tha Zhupa. /k.s/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›