Situata me zjarret në vend/ Mbrojtja jep detajet: 16 vatra zjarri në 24 orë, 4 vijojnë të jenë aktive

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten ende aktive.
Këto vatra janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Tiranës, Vorës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Poliçanit, Hasit, Vaut të Dejës, Matit dhe Mirditës.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
* Bashkia Elbasan: Në vendgrumbullimin e mbetjeve vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve. Gjatë ditës së djeshme u ndërmorën veprime për hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë edhe sot punën për shuarjen e plotë të zjarrit.
* Bashkia Finiq: Vatra mes fshatit Grazhdan (njësia Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër). Situata është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Zjarri po monitorohet nga një mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.
* Bashkia Tiranë: Në fshatin Bulticë, njësia Vaqarr, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i vështirë e bën të pamundur kalimin e mjeteve. Sot do të vijojë ndërhyrja me forca operacionale dhe helikopterin Cougar.
* Bashkia Has: Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, në një sipërfaqe me pyll pishe. Era dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen, por puna për kontrollin e flakëve vijon.
Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Në dy raste pati dëme materiale:
– Bashkia Fier: Në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u transportua në Spitalin Rajonal dhe banesa pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.
– Bashkia Vorë: Në fshatin Fushë Prezë, një hangar me bar u përfshi nga flakët duke shkaktuar djegien e 1600 dëngjeve me bar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:
– 21 automjete zjarrfikëse
– 190 forca operacionale
– 35 efektivë të Forcave të Armatosura
– 2 automjete zjarrfikëse ushtarake
– 4 kamionë vetëshkarkues
– 1 traktor me zinxhirë
– 1 helikopter Cougar
– 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit
– 29 automjete të firmave private
Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara maksimalisht në koordinimin dhe mbështetjen e të gjitha operacioneve për menaxhimin e emergjencave nga zjarret.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje lokale të dobëta në disa qarqe. Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “I LART˔ pothuajse në të gjitha qarqet. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I MODERUAR”, me rrezik lokal “TË LART˔ në zona të caktuara (Durrës – Jug, Korçë – Qendër, Vlorë – VeriQendër).