E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata nga reshjet- Njësia Administrative Dardhas i Pogradecit pa energji elektrike dhe rrugë të bllokuara

Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të shiut përgjatë ditëve të fundit, njësia Administrative Dardhas, në Bashkinë Pogradec, po përballet me një situatë të rënduar, ku kjo zonë ndodhet pa energji elektrike dhe rrugë të bllokuara.

Sipas informacionit të deritanishëm, energjia elektrike mungon në të gjitha fshatrat e zonës, duke vështirësuar ndjeshëm jetën e banorëve.

Problematikat janë shoqëruar edhe me bllokime të infrastrukturës rrugore. Pas rrëshqitjes së djeshme që bllokoi rrugën kryesore të zonës, probleme të tjera janë konstatuar në aksin Kakaç–Grunjas, ku rruga është bërë e pakalueshme për mjetet.

Situata paraqitet edhe më e vështirë në fshatrat Baribardhë dhe Zall Torrë, ku rrëshqitje të mëdha dherash kanë bërë që qarkullimi i mjeteve të jetë plotësisht i pamundur gjatë orëve të para të mëngjesit.

Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente ndodhen në terren dhe po punojnë për vlerësimin e situatës, hapjen e akseve rrugore dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›