Situata nga zjarret, MM: Urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se “është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit”.
Për shkak të zjarreve, Ministria e Mbrojtjes u bëri thirrje urgjente banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.
Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.
Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
1 nga 2/m.m/