E Premte, 6 Nëntor 2026

Skandali me fondet e investimit në Turqi, arrestohet ish-ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale

Ish-ministrja turke e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betül Sayan Kaya, është arrestuar mëngjesin e së premtes në kuadër të hetimeve për skandalin financiar që shpërtheu në shtator, lidhur me dyshimet për manipulim të tregjeve të kapitalit dhe abuzime nga fondet e investimeve. (Ish-ministrja Fatma Betül Sayan Kaya mbërrin në pallatin e drejtësisë në Stamboll për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimit mbi tregjet e kapitalit; Stamboll, Turqi, 6 nëntor 2026. Foto: IHA)

Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për ish-ministren, pasi ajo u mor në pyetje nga prokurorët për transaksione të dyshimta me aksionet e kompanisë Ozata Denizcilik (OZATD). Ajo përballet me akuza për shkelje të legjislacionit të tregjeve të kapitalit dhe anëtarësi në një organizatë kriminale.

Hetimi nisi pas krizës së mesit të shtatorit, kur disa fonde investimi nuk arritën të përmbushnin kërkesat e klientëve për tërheqjen e parave. Për të kufizuar pasojat, Bordi i Tregjeve të Kapitalit (SPK) urdhëroi më 17 shtator likuidimin e 131 fondeve të investimit brenda gjashtë muajve. Në këtë proces u përfshinë mbi 455 mijë investitorë, ndërsa vlera e përgjithshme e aseteve të tyre llogaritej në 936.3 miliardë lira turke, ose rreth 19.1 miliardë dollarë.

Fitime prej 2.1 miliardë lirash nga investimet
Në qendër të hetimeve janë edhe investimet e ish-ministres dhe bashkëshortit të saj, Ilyas Kaya. Sipas të dhënave të publikuara, çifti kishte investuar së bashku 163.1 milionë lira turke, rreth 3.3 milionë dollarë, por kishte tërhequr afërsisht 2.1 miliardë lira, duke realizuar një fitim të pretenduar prej rreth 1,188%.

Pas shpërthimit të skandalit, autoritetet ngrinë pasuritë dhe llogaritë bankare të çiftit. Më vonë, ata iu drejtuan mekanizmit të shlyerjes vullnetare të krijuar nga SPK, duke transferuar fitimet që tejkalonin kapitalin fillestar në një llogari nën administrimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave (TMSF).

Në fund të shtatorit, pas publikimit të akuzave, Kaya dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), si dhe nga funksionet e tjera partiake.

Prokuroria dyshon se ish-ministrja kishte blerë aksione të kompanisë Ozata Denizcilik në prill të vitit 2026 dhe i kishte shitur më 16 shtator, vetëm një ditë përpara vendimit për likuidimin e 131 fondeve të investimit.

Sipas kërkesës së prokurorisë drejtuar gjykatës, aksionet nuk u shitën përmes transaksioneve të zakonshme në bursë, por iu transferuan drejtpërdrejt kompanisë Tera Yatirim Menkul Degerler. Të ardhurat nga shitja u kaluan në llogarinë e Kaya-s po atë ditë.

Hetuesit kanë ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën e realizimit të pagesës. Sipas procedurës së zakonshme T+2, paratë nga shitja e aksioneve kalojnë në llogarinë e investitorit pas dy ditësh pune. Në rastin e Kaya-s, transaksioni u krye sipas mekanizmit T+0, duke mundësuar marrjen e menjëhershme të parave.

Prokuroria ka evidentuar gjithashtu kontaktet e saj me drejtues të Tera Group, një prej kompanive kryesore të administrimit të portofolit, ndaj së cilës po zhvillohen hetime. Mes personave të arrestuar është edhe kryetari i grupit, Emre Tezmen.

Një raport i SPK-së ka evidentuar dyshime se Kaya mund të ketë pasur akses në informacione jo publike, të cilat mund të ndikonin në çmimin e aksioneve dhe në vendimet e investitorëve. Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu blerje të konsiderueshme të aksioneve OZATD nga kompani dhe fonde të lidhura me Tera Group.

Hetimet përfshijnë edhe drejtues të lartë financiarë
Në kuadër të së njëjtës çështje, ish-kryetari i Bordit të Tregjeve të Kapitalit, Ibrahim Ömer Gönül, është liruar nën masa të kontrollit gjyqësor, me ndalim për të dalë jashtë vendit. Ai u paraqit për herë të dytë para gjykatës për t’u marrë në pyetje lidhur me dyshimet se nuk kishte ushtruar siç duhej mbikëqyrjen e fondeve të investimit gjatë kohës që drejtonte institucionin, nga prilli 2022 deri në prill 2026.

Prokuroria kishte kërkuar autorizimin për hetimin e tij për shpërdorim detyre, duke pretenduar se nuk kishte përmbushur përgjegjësitë ligjore për inspektimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve. Ministri i Thesarit dhe Financave, Mehmet Şimşek, dha miratimin për nisjen e hetimit më 14 tetor.

Hetimet kanë prekur edhe drejtues të tjerë të institucioneve financiare turke. Ish-drejtori ekzekutiv i Bursës së Stambollit, Korkmaz Enes Ergun, është arrestuar nën dyshimet për ryshfet. Në shtator u arrestua edhe Erkan Kilimci, ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore.

Ndërkohë, ish-zëvendëskryetari i SPK-së, Enver Uşca, dhe drejtuesi i departamentit të katërt të zbatimit në BDDK, Mustafa Alper Taş, janë mes gjashtë personave të ndaluar në fillim të kësaj jave, së bashku me tre ish-zyrtarë të tjerë të SPK-së dhe një drejtues të Tera Holding.

Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, bëri të ditur se numri i personave nën hetim për parregullsitë në tregjet e kapitalit ka arritur në 433. Prej tyre, 112 janë lënë në paraburgim, 186 janë vendosur nën kontroll gjyqësor, ndërsa 38 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Autoritetet kanë ngrirë gjithashtu pasuritë dhe kanë bllokuar llogaritë bankare të 359 individëve dhe 111 subjekteve juridike.

“Rrjeti që kishte depërtuar në mekanizmat tona të mbikëqyrjes në nivelet më të larta është bërë tashmë mjaft i qartë”, deklaroi ministri Gürlek, duke shtuar se dëshmitë e personave të marrë në pyetje kanë çuar në identifikimin e emrave të tjerë.

Edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan reagoi për hetimet, duke paralajmëruar se të gjithë personat e përfshirë në manipulimin e tregjeve financiare do të mbajnë përgjegjësi.

“Njerëz që nuk do ta kishit menduar kurrë janë përfshirë në këto veprimtari. Gjyqësori po i identifikon dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme”, deklaroi Erdoğan të enjten, gjatë kthimit nga Koreja e Jugut.

“Çdokush që ka përfituar padrejtësisht, ka manipuluar tregjet e kapitalit apo ka lehtësuar këto veprimtari do të mbajë përgjegjësi”, shtoi presidenti turk.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›