Skema Investimeve, fermerët afat deri më 27 shkurt për dorëzimin e dokumentacionit plotësues

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Fermerët që kanë aplikuar për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 duhet të dorëzojnë dokumentacionin plotësues të dosjeve të tyre deri më datën 27 shkurt 2026.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, afati i mëparshëm parashikonte një periudhë prej 60 ditësh pas përfundimit të aplikimeve, por udhëzimi i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit rural dhe Ministrisë së Financve, përcakton datën 27 shkurt 2026 si afat përfundimtar.
Dorëzimi i dokumenteve pas kësaj date skualifikon aplikantët, përveç dokumenteve që lidhen me lejet e ndërtimit ose miratimin e njoftimeve/punimeve për masën 17 të akuakulturës, të cilat duhet të dorëzohen para lidhjes së kontratës.
Skema e Investimeve ka regjistruar gjithsej 801 aplikime për nëntë masa mbështetëse, të cilat synojnë modernizimin e fermave, rritjen e prodhimit vendas dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale. Financimi përfshin ndërtimin e serrave, mbjelljet e reja të pemëve frutore, sistemet e ujitjes, ndërtimin e ambienteve për kafshë dhe shpendë, mekanizimin e fermave, përpunimin dhe paketimin e produkteve bujqësore, si dhe investimet në agroturizëm dhe akuakulturë.
Përfituesit mund të marrin parapagim deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës së siguruar nga banka ose shoqëri sigurimi. Për të përfituar, aplikantët duhet të kenë dëshmuar rregullsi në pagesën e tatimeve dhe sigurimeve shoqërore, të kenë tokën në pronësi ose me qira/huapërdorje për të paktën pesë vjet dhe të disponojnë lejet përkatëse të ndërtimit.
/e.xh/a.f/