Skema Kombëtare në Bujqësi, rreth 3100 aplikime në qarkun e Gjirokastrës

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Në qarkun e Gjirokastrës, rreth 3080 fermerë kanë aplikuar këtë vit për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2025.
Sipas specialistit të bujqësisë në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjirokastër, Balil Bineri, interesi i fermerëve ka qenë i lartë, me një pjesëmarrje pothuajse të njëjtë me vitin e kaluar.
“Numri i aplikimeve është pothuajse në të njëjtin nivel me atë të vitit të kaluar. Një rënie e lehtë me rreth 40 aplikantë ka pasur “Skema e naftës”, ndërkohë ka pasur rritje të aplikimeve në skemat e tjera” tha Bineri.
Ai bëri të ditur se është drejt përfundimit edhe faza e plotësimit të dokumentacionit nga ana e fermerëve, ndërsa Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po kryen kontrolle fizike në terren për të verifikuar aplikimet.
“Aktualisht, është në përfundim faza e kontrollit administrativ, plotësimi i dokumentacionit nga ana e fermerëve. Në qarkun tonë kanë mbetur më pak se 100 aplikantë, sepse nuk kanë plotësuar dosjet”, tha ai.
Skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi kanë ndihmuar ndjeshëm në zhvillimin e sektorit bujqësor në qarkun e Gjirokastrës, duke ofruar mbështetje financiare për fermerët dhe duke nxitur një bujqësi më të qëndrueshme dhe moderne.
/e.xh/a.f/r.e/