E Martë, 3 Nëntor 2026

Skema e Investimeve, Denaj: Fermeri nga Kavaja përfitoi financim për mekanikë bujqësore

TIRANË, 17 korrk /ATSH/  Nazim Kanapari në fshatin Kanaparaj, të Kavajës është i angazhuar në bujqësi prej 12 vitesh.

Ai kultivon në një sipërfaqe prej 22 hektarësh kultura të ndryshme si vreshta, dardha dhe drithëra.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale historinë e tij, që me mbështetjen e Skemës Kombëtare të Investimeve nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) ka investuar në makineri bujqësore dhe agregate ndihmëse.

“Investime në mekanizimin e bujqësisë e ka ndihmuar atë të përshpejtojë proceset e punës në fermë, duke rritur efikasitetin dhe rendimentin e prodhimit”, tha Denaj.

Ministrja bëri të ditur se, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%.

Ndërsa Nazimi tregoi se është kthyer nga emigracioni, ku ka punuar në bujqësi dhe që prej vitit 2013, punon në tokën e tij.

“Kam aplikuar në Skemën e Investimeve dhe jam shpallur përfitues për mekanikë bujqësore”, u shpreh Nazimi, ndërsa tregon se është përfitues edhe në skemën e subvencioneve për naftën pa taksa dhe për masën në blegtori.

“Mbështetja financiare përmes AZHBR-së më ka ndihmuar të rris rendimentin e prodhimit përmes punimeve të mekanizuara, ndërsa kam përfituar uljen e kostove dhe cilësi më të lartë prodhimi”, tha ai.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›