“Ski Excellence Night”/Eni Vasili: RTSH do të vijojë të mbështesë sukseset e sportit shqiptar

Federata Shqiptare e Skive organizoi mbrëmjen gala “Ski Excellence Night”, një aktivitet kushtuar prezantimit të arritjeve të sezonit 2025–2026, i konsideruar si një nga sezonet më të suksesshme në historinë e sporteve dimërore shqiptare, i transmetuar në Radio Televizionin Publik Shqiptar.
Pika kulmore e këtij sezoni ishte pjesëmarrja e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina me një delegacion prej katër sportistësh në ski alpine, duke konfirmuar rritjen e nivelit konkurrues të ekipit kombëtar.
Gjatë ceremonisë u vlerësuan edhe sukseset ndërkombëtare të sportistëve elitë Lara Colturi dhe Denni Xhepa, të cilët kanë përfaqësuar me rezultate të larta Shqipërinë në arenën botërore.
Federata theksoi gjithashtu pjesëmarrjen në Kampionatet Botërore dhe në aktivitete të tjera ndërkombëtare, ku sportistët shqiptarë garuan përballë vendeve me traditë në sportet e dëborës, duke dëshmuar progresin e bërë në vitet e fundit.
Sipas Federatës, sezoni 2025–2026 përfaqëson një pikë kthese për sportet dimërore në Shqipëri, duke kaluar nga një aspiratë në një program kombëtar me standarde evropiane, profesionalizëm dhe objektiva afatgjata olimpike.
Mbrëmja gala u organizua me mbështetjen mediatike të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Në aktivitet ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila vlerësoi bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Skive dhe rëndësinë e promovimit të sukseseve të sportistëve shqiptarë përmes transmetuesit publik.
“Faleminderit, urime. Tani t’i sqarojmë ca gjëra. Nuk është se nuk e dija se çfarë janë skitë. Skijoja derisa theva ligamentin, po nuk e dija se çfarë federata realisht mund t’i ofronte RTSH-së për programacionin. Gjithsesi ne besuam te projekti i Federatës së Skive, tek projekti i Elvisit dhe jemi të lumtur që pati impaktin që në fakt askush nuk e mendoj në fillim. Kjo është e vërtetë apo jo? Sepse në fakt nuk janë një sport popullor në Shqipëri dhe në fakt Elvisi e bëri. Kështu që urime dhe të shohim vitin tjetër tani”, u shpreh Eni Vasili.
/rtsh.al/