Softa ngre pikëpyetje për operacionin në Maliq: A u nënvlerësua rrezikshmëria e autorit?

Ngjarja tragjike në Maliq, ku humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur kolegu i tij Edison Adri, ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si u organizua operacioni policor.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa deklaroi se autori i dyshuar ishte një person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar më parë dhe me njohuri ushtarake, çka sipas tij kërkonte masa të shtuara sigurie.
Sipas Softës, operacioni mund të kishte përfshirë më shumë forca speciale dhe mjete mbështetëse, si dronë apo helikopterë, për të minimizuar rrezikun për efektivët në terren.
“Përballë kishim një person të armatosur, të kërkuar prej vitesh dhe me përvojë ushtarake. Kjo e bënte operacionin tepër të vështirë”, u shpreh eksperti.
Ai theksoi se hetimet që pritet të zhvillohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria duhet të analizojnë jo vetëm ngjarjen kriminale, por edhe mënyrën e drejtimit të operacionit, komunikimin mes strukturave dhe respektimin e protokolleve.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes që tronditi Policinë e Shtetit dhe opinionin publik.