Sonte “Zjerm” në Prishtinë

PRISHTINË, 16 qershor/ATSH/ Përfaqësuesit e Shqipërisë në festivalin ndërkombëtar Eurovision 2025, Shkodra Elektronike sonte do të performojnë në Prishtinë, në nder të ditës se çlirimit të Prishtinës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në vizitë zyrtare sot Shkodrën Elektronike, të cilët i nderoi edhe me hyjneshën në fron.
Pas vizitës, në një konferencë për media, kryetari i Prishtinës, Rama tha se sonte do të jetë një koncert i mrekullueshëm me këngën “Zjerm”.
“Jam këtu me artistët e mirënjohur, Shkodrën Elektronike, më të mirët e trojeve shqiptare që na kanë përfaqësuar Shqiptarinë dhe performancën e tyre dhe tash po vqzhdojnë me krijua një brend të ri autoktonë, që ndërlidh të vjetrën me të renë. Ne i kemi në Prishtinë për nder të ditës së çlirimit të kryeqytetit dhe Kosovës. Sonte do të jetë një koncert i mrekullueshëm”, tha Rama.
Beatriçe Gjergji u shpreh se publiku i Kosovës i ka mirëpritur me emocione herën e parë para disa viteve.
“Publiku i Kosovës na ka bërë një mirëpritje herën e parë që kemi bë një koncert këtu, ishte e mrekullueshëm. Për mua personalisht ishte një mbrëmje ku ndjeva vetën më të fortë. Ka qenë një emocion fantastik shpresoj edhe sonte të jetë për të gjithë e bukur”, u shpreh ajo.
E Kolë Laca tha se është një nder i madh për ta për të performuar në një ditë kaq të madhe për kryeqytetin e Kosovës.
Ndërsa, drejtoresha e FemArt, Zana Hoxha e cila ka organizuar këtë koncert me Komunën e Prishtinës shtoi se ky është koncerti i parë i tyre pas Eurovisionit.
Hoxha fton të gjithë që të marrin pjesë në koncert sonte, sepse sipas tij, do jetë një natë e festës e kulturës.
Sonte do të përfomojnë Shkodra Elektronike në ora 20:00 në AMC Hall. /KosovaPress/