E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot konferenca e katërt ndërqeveritare me BE, Rama me presidentin e KE: Të përkushtuar që të përmbushim të gjitha detyrat

Shqipëria ka hapur zyrtarisht grupkapitullin e dytë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, të titulluar “Tregu i Brendshëm”, gjatë Konferencës së katërt ndërqeveritare Shqipëri–BE.

Delegacioni shqiptar në këtë proces drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të fushave përkatëse të negociatave. Nga Brukseli, ku u takua me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama deklaroi: “Jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027.”

“Jemi me Presidentin e Këshillit Evropian. Jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime, jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027″, tha Rama nga Brukseli.

Në nisje të konferencës Kryeministri Rama do të mbajë fjalën hapëse, në emër të Shqipërisë Ndërsa në emër të BE, deklarata do të mbahet nga Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Në përfundim të punimeve të Konferencës, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

–Grupkapitulli i II-të i negociatave përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›