Sot pasdite, partitë e koalicionit qeveritar bënë këtë paketë propozimesh për certifikatat dhe listat e zgjedhësve: Për rritjen e sigurisë dhe të garancive për implementimin e standarte
Sot pasdite, partitë e koalicionit qeveritar bënë këtë paketë propozimesh për certifikatat dhe listat e zgjedhësve:
Për rritjen e sigurisë dhe të garancive për implementimin e standarteve të zgjedhjeve në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 20 janar 2007, partitë e Koalicionit Qeveritar,
PROPOZOJNË:
1. Të miratohet një amendament në Kodin Zgjedhor, i cili të përcaktojë se identifikimi i zgjedhësve që paraqiten në qendrën e votimit me certifikatë, të bëhet duke pranuar si të vlefshme vetëm certifikata të lëshuara nga zyra e gjendjes civile e njësisë së qeverisjes vendore që ka hartuar listën e zgjedhësve për atë qendër votimi.
2. Dispozitat e Kodit Zgjedhor për procedurat e votimit të përcaktojnë se në çdo rast kur anëtarë të Komisionit të Qendrës së Votimit (KQV) kanë dyshime për identitetin e zgjedhësve që paraqiten me certifikatë, për verifikimin e identitetit ata mund të kërkojnë paraqitjen e dokumentave të tjerë plotësues, si libreza për drejtimin e automjeteve, libreza studentore, karta identiteti (fletëhyrje) institucionesh, sipas një liste që do të përcaktohet nga KQZ-ja me akt të vetin. Rastet e parashikuara në këtë paragraf shënohen në librin e protokollit të KQV-së
3. Dispozitat e Kodit Zgjedhor për procedurat e votimit, për zgjedhësit që paraqiten në qendrën e votimit me certifikatë, duhet të përcaktojnë:
a) Detyrimin për dorëzimin e certifikatës së bashku me fletën e votimit;
b) Detyrimin që fletët e votimit të zgjedhësve me certifikata të mbyllen nga vetë zgjedhësit në zarfa të posaçëm, të dhënë nga KQV-ja, dhe të bashkëlidhen me certifikata e tyre. Në zarfa nuk duhet të bëhet asnjë shënim, i cili në procedurat e mëtejshme mund të zbulojë qendrën e votimit apo indentitetin e zgjedhësit;
c) Detyrimin që zarfet me fletët e votimit dhe certifikatat e bashkëlidhura të hidhen në kuti të veçanta votimi dhe të administrohen sipas një procedure të veçantë;
d) Detyrimin që zarfet me fletët e votimit që bashkëlidhen me certifikatat të administrohen pas përfundimit të procedurave të numërimit të votave sipas kodit në fuqi dhe vetëm pasi Komisioni Zgjedhor i Qeverisjes Vendore (KZQV) të ketë bërë verifikimin e certifikatave të bashkëlidhura pranë zyrës së gjendjes civile të njësisë përkatëse të qeverisjes vendore. Për çdo certifikatë të gjetur të rregullt, KZQV-ja vulos zarfin me fletët e votimit me vulën e vet dhe pastaj e shkëput zarfin nga certifikata. Në vijim, të gjithë zarfat e vulosura, ende të pahapur, i grumbullon për të gjitha qendrat e votimit së bashku, përpara se të fillojë numërimin e votave brenda tyre.
e) Detyrimin që numërimi i këtyre votave dhe nxjerrja e rezultatit përfundimtar për njësinë e qeverisjes vendore të bëhet sipas të njejtës procedurë që kodi në fuqi parashikon për numërimin e votave.
4. Dispozitat e Kodit Zgjedhor duhet të përcaktojnë në mënyrë specifike se lëshimi dhe përdorimi i certifikatave të fallsifikuara përbën vepër penale dhe dënohet me tre vjet burgim;
5. Dispozitat e Kodit Zgjedhor duhet të parashikojnë se certifikatat e përdorura dhe të administruara gjatë procesit të votimit të ruhen së bashku me materialin tjetër zgjedhor dhe se, me kërkesë të partive politike pjesmarrëse në zgjedhje, t'i vihen në dispozicion këtyre të fundit për verifikime të mëtejshme.
6. Dispozitat e Kodit Zgjedhor duhet të parashikojnë të drejtën e partive politike parlamentare për të inspektuar në çdo kohë veprimtarinë e zyrave të gjendjes civile për përditësimin e listave të zgjedhësve dhe për të verifikuar të dhënat e listës me regjistrin themeltar të gjendjes civile.
7. Dispozitat e Kodit Zgjedhor duhet të përcaktojnë të drejtën e inspektimit nga ana e partive politike parlamentare edhe për veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile duhet të ketë detyrimin ligjor për të vënë në dispozicion të partive politike listën elektronike të dublikatave të evidentuara, me të gjitha të dhënat përkatëse.
8. Dispozitat e Kodit Zgjedhor duhet të parashikojnë së paku të drejtën e partisë politike kryesore të opozitës në këshillin vendor për të vënë një numër të mjaftueshëm mbështetësish, në dispozicion të procesit për njoftimin individual të zgjedhësve, kundrejt kontratave me shpërblim. Grupet e njoftimit ngrihen dhe funksionojnë për çdo qendër votimi. Partive të tjera parlamentare Kodi duhet tu njohë të drejtën për të inspektuar dhe për të marrë informacion të detajuar për procesin e njoftimeve individuale.
9. Dispozitat e Kodit Zgjedhor duhet të njohin detyrimin e Gjykatave për shqyrtimin e kërkesave të zgjedhësve lidhur me listat, që nga momenti i shpalljes së Listave përfundimtare, deri në orën 12 të ditës së votimit. Kodi duhet të parashikojë caktimin e gjyqtarëve pranë bashkive/njësive bashkiake për Tiranën (zyrave të gjendjes civile) për të shqyrtuar kërkesat e zgjedhësve. Për njësitë e tjera të qeverisjes vendore shqyrtimi gjyqësor të bëhet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore përkatëse. Shpërndarja e gjyqtarëve të bëhet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kurse caktimi i tyre, me short, sipas procedurave në fuqi për caktimin e çështjeve gjyqësore, jo më vonë se data e shpalljes së listës përfundimtare.
10. Partitë e Koalicionit Qeveritar shprehin gadishmërinë që të mbështesin implementimin e kësaj pakete propozimesh, edhe me akte të KQZ-së, nëse procedura parlamentare zgjat hyrjen në fuqi të masave të propozuara.