E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Spanjë, humb jetën futbollisti Jesús de Miguel pas përplasjes në fushë - ATSH -

SPANJË, 3 nëntor/ATSH/ Sulmuesi i klubit spanjoll CD Tenerife, Jesús de Miguel, ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare, pasi pësoi një goditje të rëndë gjatë ndeshjes kundër FC Andorra.

Futbollisti u përplas me portierin kundërshtar, Jesús Owono, në minutat e fundit të takimit, teksa të dy lojtarët po luftonin për topin. Pas përplasjes, De Miguel u rrëzua pa ndjenja në fushë dhe mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor.

Ai u transportua me ambulancë në spitalin Universitar Nuestra Señora de Candelaria, ku u shtrua në terapi intensive. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, futbollisti ndërroi jetë mëngjesin e 3 nëntorit, njoftoi klubi i Tenerife-s.

Përplasja shkaktoi gjithashtu ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes, e cila ishte në rezultatin 2-2. Portieri i Andorrës u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen.

Klubi i Tenerife-s shprehu dhimbjen për humbjen e futbollistit dhe solidaritetin me familjen, të afërmit dhe tifozët, duke kërkuar respekt për privatësinë e tyre në këto momente të vështira.

Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë nisur procedurat hetimore për të shqyrtuar rrethanat e vdekjes së futbollistit. 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›