E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spartak Ngjela: Sali Berisha është antishqiptar i vjetër! Po vepron për llogari të armiqve të Shqipërisë

Avokati Spartak Ngjela, i cili më parë ka qenë ministër Drejtësie në kohën kur PD ishte në pushtet, ka sulmuar ashpër Sali Berishën, duke e quajtur si “antishqiptar të vjetër”.

I ftuar në Report TV, teksa komentonte zhvillimet politike dhe braktisjen e komisioneve parlamentare nga Partia Demokratike, Ngjela hodhi akuza të forta ndaj Berishës, teksa tha se po vepron për llogari të armiqve të Shqipërisë.

“Pyetja bëhet: përse hyn në zgjedhje, nxjerr deputetët dhe më pas nuk rri në parlament? Kjo është kërkesë nga armiqtë e Shqipërisë. Përse, budallenj na di Saliu ne? O është antishqiptar i vjetër, ose ia kërkojnë forcat antishqiptare. Nuk ka rrugë tjetër,” tha ai.

Ndërsa për aksionin e opozitës, avokati tha se deputetët nuk duhet të largohen nga Parlamenti.

“Pati konflikt të brendshëm. Si ka mundësi të shkëputesh nga Parlamenti kur të ka zgjedhur populli? Deputeti i popullit nuk mund të largohet nga Parlamenti. Kur largohen, fyejnë shqiptarët. Saliu është njeri që nuk kuptohet se për kë luan, por ata bravo që e detyruan” tha Ngjela.

Sa i përket SPAK, Ngjela tha se Prokuroria e Posaçme nuk drejtohet nga shqiptarët dhe theksoi se lufta kundër korrupsionit po drejtohet nga ndërkombëtarët.

“SPAK nuk drejtohet nga ne. Ndihmën e kanë dhënë ndërkombëtarët, edhe ekspertizën, edhe pagesën, për të na shpëtuar nga korrupsioni. Nëse nuk na shpëtojnë kështu, do të mbetemi gjithë jetën,” deklaroi avokati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›