E Premte, 6 Nëntor 2026

Speciet invazive: Sistem kombëtar mbikëqyrjeje, kontrolle të shtuara dhe parimi “ndotësi paguan” - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Parandalimi i hyrjes dhe përhapjes së llojeve të huaja invazive në Shqipëri do të mbështetet në një kuadër të ri rregullator, që parashikon miratimin e një liste kombëtare të këtyre llojeve, kontrolle më të forta në pikat doganore dhe mekanizma për monitorimin e tyre.

Projektvendimi i propozuar nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj synon mbrojtjen e biodiversitetit, habitateve natyrore dhe shërbimeve ekosistemike nga ndikimet negative që mund të shkaktojnë këto lloje.

Projektakti parashikon dy lista: atë të llojeve të huaja invazive shqetësuese për Bashkimin Evropian dhe Shqipërinë, si dhe listën e llojeve të huaja nën vëzhgim. Përfshirja e një lloji në listë do të bazohet në vlerësimin shkencor të rrezikut, duke marrë në konsideratë mundësinë e përhapjes dhe ndikimin mbi mjedisin, shëndetin e njeriut dhe ekonominë.

Sipas projektvendimit, parashikohet ngritja e një sistemi kombëtar mbikëqyrjeje, identifikimin e rrugëve të përhapjes dhe marrjen e masave emergjente në rastet kur konstatohet prania ose rreziku i futjes së një lloji invaziv.

Kontrollet zyrtare në pikat doganore do të përfshijnë verifikimin e dokumentacionit dhe të ekzemplarëve që synojnë të hyjnë në territorin e vendit. Në rastet e mospërputhjeve parashikohen masa si bllokimi, kthimi, transferimi ose asgjësimi i tyre, sipas procedurave përkatëse.

Në projektligj përcaktohen edhe kostot për parandalimin, kontrollin, çrrënjosjen dhe menaxhimin e këtyre llojeve mund t’u ngarkohen subjekteve përgjegjëse për futjen ose përhapjen e tyre, në zbatim të parimit “ndotësi paguan”.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, strukturat inspektuese dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

/e.i/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›