E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiropali: Në tetor, konferencë ndërkombëtare mbi Reformën në Drejtësi

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet deklaroi se, në tetor të këtij viti do të mbahet një Konferencë Ndërkombëtare me fokus Reformën në Drejtësi.

“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm: Në tetor 2025, me rastin e 70-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 Korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë në Tiranë një konferencë ndërkombëtare, e cila do të fokusohet në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe drejtësinë kushtetuese.

Një nga panelet do t’i kushtohet pikërisht sfidave dhe rolit të gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e rendit demokratik dhe të drejtave të njeriut në vendet anëtare të Këshillit të Europës.

Kjo do të jetë një mundësi për të ndarë përvoja, për të reflektuar mbi rrugën e përbashkët dhe për të ndërtuar një vizion të qartë për të ardhmen e drejtësisë kushtetuese në Shqipëri dhe më gjerë”, tha Spiropali.

Spiropali shtoi se, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi.

Spiropali gjithashtu vlerësoi rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe theksoi se, vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm historik.

“Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, forcimin e kushtetutshmërisë, zbatimin e ligjit, luftën ndaj pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut – për një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe profesionale, të ndërtuar mbi fakte, prova dhe standarde ligjore, integritet jo mbi perceptime apo interesa.

Transformimi i sistemit të drejtësisë duhet të përkthehet në përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, garantimin e sigurisë juridike dhe uljen e kohës së trajtimit të çështjeve, një sfidë që kërkon angazhim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm.

Qytetarët presin që drejtësia të funksionojë në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe profesionale, me ligjin dhe provat si bazë, ku të drejtat dhe garancitë procedurale të mos jenë thjesht formalitete, por të zbatohen në mënyrë reale dhe efektive dhe të jenë në themel të punës sonë.

Ndërkohë, Kuvendi do të vijojë të tregojë kujdesin, vëmendjen dhe angazhimin e duhur për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si pjesë e kontributeve tona për forcimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë”, tha ajo.

Duke folur për botimin e Udhërrëfyesit, Spiropali u shpreh se, “Vëllimi i Dytë i Udhërrëfyesit të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese është një dokument i rëndësishëm me vlera njohëse për konsistencën e vendimmarrjes së Gjykatës, përmbajtjen dhe cilësinë e vendimeve të saj si edhe me dobi praktike, si burim e referencë për çështjet e shqyrtuara e të pasqyruara në të.

Sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë edhe një kontribut drejt forcimit të shtetit të së drejtës në tërësi.

Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron një instrument të vyer për kuptimin, analizën dhe zbatimin e vendimeve kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të vendit tonë”.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›