Spiropali: Rritje të konsiderueshme të bonusit të pensionistëve; 1 mln turistë vetëm në Berat këtë vit

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, prezantoi sot nga qyteti i Beratit nismën “Kuvend-ON”, një program i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.
Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo, sipërmarrës, fermerë, të rinj dhe të reja të cilët bashkëbiseduan me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali në lidhje me problematikat e tyre.
Në fjalën e saj në Berat, Spiropali foli për investimet e shumta dhe rritjen e turizmit në Berat.
“Këtu nuk mungon tradita, nuk mungon historia, si edhe historia moderne e investimeve në sipërmarrje, e në bujtinë, e në restorante, e në vende mikpritëse”, tha Spiropali.
“Pashë statistikat e turistëve në Berat dhe deri në fund të dhjetorit priten 1 milion turistë këtë vit vetëm në Berat dhe jo vetëm në qendrat historike apo të trashëgimisë, por kudo, edhe në lagjet e Beratit, edhe në lagje të tjera që nuk janë domosdoshmërisht historike, por ku ato apartamentet e vogla janë vënë në punë për të pritur turistë dhe njerëz që duan ta vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit gjithashtu u shpreh se bisedoi në Berat me disa pensionistë në një takim.
“Biseduam hapur për sfidën e re që kemi ndërmarrë për një analizë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve që do të mundësojë një rritje të konsiderueshme të bonusit të pensionistëve brenda dhjetorit dhe më pas një skemë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për rritjen e pensioneve për gjyshërit dhe gjyshet tona, për prindërit tanë që kanë punuar aq shumë gjithë jetën e tyre dhe që meritojnë të marrin një pension dinjitoz për të jetuar këtu dhe ne t’u kthejmë mesa të mundemi gjithë përpjekjet dhe gjithë punën e tyre”.
Spiropali nënvizoi se, nuk është e thjeshtë, pasi janë mbi 730 mijë pensionistë në Shqipëri.
“Skema e pensioneve është ende deficitare. Pra, buxheti kontribuon shumë më shumë sesa marrin nga skema e sigurimeve shoqërore dhe për këtë duhet të bëjmë politika të kujdesshme, por edhe proaktive për të luftuar informalitetin tek pagat”, tha Spiropali.
“Këtu ka nevojë për shumë ndërgjegjësim. Ka nevojë që sipërmarrjet të kuptojnë që në këtë fazë, ashtu siç regjistruan punonjësit e tyre dhe luftuam informalitetin në fazën e parë, duhet të luftojmë informalitetin edhe në këtë fazë, që mos të deklarojnë për punonjësit vetëm pagën minimale dhe pastaj pagën tjetër ta japin në dorë në dy bordero dhe të mos japin kontributin e duhur në skemën e pensioneve, por edhe duke i mohuar të drejtën e pensionit punonjësve të tyre dhe duke zhvatur në fakt skemën e pensioneve dhe duke mohuar që pensionistët të kenë një pension më të drejtë”, theksoi Spiropali.
Kryeparlamentarja foli gjithashtu për hapjen e grup-kapitullit themelor të negociatave me Bashkimin Evropian.
“Ne jemi në një fazë shumë të rëndësishme të procesit tonë të integrimit. Më 15 tetor Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat dhe filloi negociatat e drejtpërdrejta për grup-kapitullin e parë, “Themeloret”, çështjet e të drejtës, çështjet e administratës, luftës kundër korrupsionit dhe çështje të tjera themelore”, tha Spiropali.
“Rruga e integrimit të Shqipërisë është sot pa kthim. Është fakt që Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së dhe synimi ynë është të integrohemi në BE brenda 2030-ës dhe për këtë ka nevojë për kontributin e gjithkujt. Integrimi evropian nuk është një slogan, nuk është as një proces burokratik me detyra shtëpie që ne i bëjmë për Brukselin. Po, është dhe ajo, por mbi të gjitha është një proces transformimi dhe zhvillimi i brendshëm. Është Evropa këtu. Janë transferimi i kapaciteteve i dijeve, i instrumenteve që ka BE për të na mësuar në shtetndërtim, në shtet formim, në standarde, në ligje, në përmirësimin dhe transformimin e sektorëve tanë”, tha Spiropali.
Spiropali foli gjithashtu edhe për Reformën në Drejtësi.
“Këto shenja të fundit që shihni të tranzicionit janë reflektime të një mendësie që është e vjetër, ku politika partiake ishte mbi gjithçka, ku lufta partiake mbizotëronte mbi interesin publik dhe interesin kombëtar ndonjëherë, ku përçarjet për pushtet të vogël, ku lufta klanore, ku interesat sektare të njërit apo të tjetrit i mbivendoseshin interesit publik dhe gjithë interesit kombëtar. Sot interesi kombëtar është të kemi një politikë që bashkëpunon. Ne nuk jemi armiq me njëri-tjetrin. Po jemi dy krahë të politikës dhe duhet të jenë të dy të shëndetshëm në mënyrë që të shkojmë përpara. Nuk kemi ne punë me problemet e njërit apo të tjetrit me sistemin e drejtësisë. Pushteti gjyqësor është një pushtet i pavarur. Ka ikur koha, kur pushteti gjyqësor kontrollohej nga ca pak njerëz të fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht”, tha Spiropali.
“Pushteti gjyqësor ishte krejtësisht i kontrolluar. Sot pushteti gjyqësor pas reformës ka dhënë të gjitha shenjat, sinjalet që është një pushtet që lufton pandëshkueshmërinë, minimalisht. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Fakti që disa janë të ulur në një karrige përkohësisht, nuk do të thotë që ajo është pronë e tyre, apo që çdo pushtet tjetër është pronë e tyre, do të thotë që ai pushtet që të kanë dhënë qytetarët, ajo karrige nuk mund të digjet për interesat e njërit apo tjetrit. Duhet të përdoret në interes të të gjithëve, të atyre që ta kanë dhënë votën, të atyre që të kanë besuar”, theksoi Spiropali.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali, u shpreh se nisma “Kuvend-ON” përfshin sesione pyetje-përgjigje mes qytetarëve dhe ligjvënësve lidhur me tematikat në interesin e tyre dhe një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndërmjet zgjedhësve me përfaqësuesit e tyre.
Spiropali nënvizoi se, përmes kësaj nisme, e cila do të shtrihet në 12 qarqet e Shqipërisë, synon të promovojë dialogun midis qytetarëve dhe vendimmarrësve, me qëllim nxitjen dhe angazhimin konstruktiv duke kontribuar kështu në avancimin e demokracisë pjesëmarrëse.
“Jeni të mirëpritur gjithmonë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi programin ‘Punishtja e Demokracisë’, si dhe mund të vizitoni sallën e seancave plenare. Janë 16 mijë vizita të të rinjve që janë bërë”, u shpreh Spiropali.
Spiropali u shpreh më tej se, qyteti i Beratit ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm, ku theksoi investimet infrastrukturore, arsimin si dhe sipërmarrjet që i shërbejnë turizmit.
“Ju duhet të merrni iniciativa duke kontaktuar me deputetët për hartimin e ligjeve dhe strategjive. Dera e Kuvendit është gjithmonë e hapur për ju”, nënvizoi Spiropali.
Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo gjatë fjalës së tij u shpreh se fokusi kryesor janë të rinjtë, si një shpresë për të ardhmen. Demo, foli edhe për projekte të rëndësishme që do të zhvillohen për të mirën e qytetarëve.
Në aktivitet e morën fjalën të rinj dhe të reja të cilët bashkëbiseduan me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.
1 nga 14/a.f/r.e/