E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiropali me Kryetarin e Komunës së Çairit: Përfaqësimi politik shqiptar, thelbësor për avancimin e agjendës europiane

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u ndal sot në Komunën Çair ku zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës dhe njëherësh Kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

Gjatë bisedës, Spiropali theksoi rëndësinë e përfaqësimit politik shqiptar në institucionet vendore dhe kombëtare, duke e cilësuar atë si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e agjendës europiane të vendit.

Në postimin e saj, ministrja u shpreh: “Në Çair, një komunë me vlera historike, bisedë e hapur me Kryetarin e Komunës dhe Kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, mbi rolin që përfaqësimi politik shqiptar mund dhe duhet të luajë në zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe avancimin e agjendës europiane.”

Spiropali nënvizoi se pushteti vendor i fortë, me kompetenca reale dhe decentralizim funksional, është themel për një qeverisje lokale cilësore dhe për afrimin e standardeve europiane në jetën e përditshme të qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›