Spiropali në Ministerialin e Procesit të Berlinit, Shqipëria kërkon bashkëpunim në frymën e Belfastit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Belfast për të marrë pjesë në Ministerialin e radhës të Procesit të Berlinit. Nga qyteti simbol i pajtimit dhe dialogut, Ministrja ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe integrimit si çelësa për paqen në Ballkanin Perëndimor.
Në një postim në rrjetet sociale pas mbërritjes, Spiropali e përshkroi Belfastin si një qytet që “e shndërroi ndasinë në dialog,” duke sugjeruar se ky model shërben si frymëzim edhe për rajonin tonë.
Ajo theksoi se fryma e bashkëpunimit dhe kthimit të konfliktit në integrim është mesazhi që Shqipëria dëshiron të përçojë për Ballkanin Perëndimor.
Ministrja nuk e la pa koment rrugëtimin dhe rolin e Shqipërisë në këtë proces rajonal.
“Belfasti na kujton se paqja nuk trashëgohet lehtë, ajo ndërtohet ditë pas dite përmes bashkëpunimit, zhvillimit dhe integrimit,” shkruan Spiropali në rrjetet sociale.
Ajo shtoi më tej se Shqipëria e ka fituar rolin udhëheqës në Procesin e Berlinit “jo me retorikë, por përmes reformave, veprimit dhe besimit.”
Ky deklarim vjen në një kohë kur Procesi i Berlinit po fokusohet te zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara, sidomos ato që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë dhe tregtinë rajonale.
Ministrat e Jashtëm të Procesit të Berlinit pritet të diskutojnë hapat e ardhshëm për thellimin e tregut të përbashkët rajonal, si dhe të shqyrtojnë progresin e bërë drejt integrimit në BE, në kontekstin e tensioneve të fundit politike në rajon. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare janë të pranishëm për të riafirmuar angazhimin e tyre ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
/rtsh.al/