E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiropali pret në takim Vanhorn, diskutime mbi forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Vanhorn. Në qendër të diskutimeve ka qenë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimi i bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.

Gjatë takimit, Spiropali theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit institucional mes Kuvendit të Shqipërisë, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit Amerikan, si dhe theksoi vullnetin për të kontribuar së bashku në përballimin e sfidave globale dhe ruajtjen e paqes ndërkombëtare.

“Takim miqësor pune me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara, Nancy Vanhorn, mbi marrëdhëniet e shkëlqyera, Partneritetin Strategjik mes vendeve tona, zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit, Dhomës së Përfaqësuesve e Senatit Amerikan, si edhe aleancën e kontributin për përballimin e sfidave globale dhe garantimin e paqes”, shkruan Spiropali.

Spiropali takim me Gonzaton: Antena e Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, tashmë në Tiranë

Po këtë të enjte, Spiropali priti edhe Ambasadorin e BE, Silvio Gonzato dhe drejtuesen e Zyrës së Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Tatiana Mrazikova.

Spiropali e cilësoi zyrën si  “Antena e Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor” dhe u shpreh se ajo është “Një impuls i fuqishëm për integrimin dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit, si dhe për lidershipin e Shqipërisë në këto procese.”

Zyra e Përfaqësimit do të përshpejtojë dhe mbështesë proceset e integrimit, si dhe do të nxisë e fuqizojë ndërveprimin dhe mbështetjen e Parlamentit Europian me Kuvendin e Shqipërisë dhe parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›