E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali takime në Senatin amerikan: Të përkushtuar për arritjen e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim në Uashington me senatorin Steve Daines, kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, mbështetës i Shqipërisë, si dhe një njohës shumë i mirë i çështjeve të sigurisë rajonale.

Gjatë takimit, Spiropali siguroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë transatlantike, përfshirë mbështetjen dhe angazhimin për objektivin e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen në kuadër të NATO-s.

Mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027, sipas Spiropalit, do të jetë një moment domethënës për forcimin e unitetit dhe kohezionit të Aleancës.

Po ashtu, Spiropali u takua edhe me senatorin Gary Petters, themelues dhe bashkëkryetar i “Albanian Issues Caucus”, që ruan një vëmendje të posaçme për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Gjatë takimit, Spiropali vlerësoi se Shqipëria e konsideron këtë grup miqësie, një partner të besueshëm dhe konstruktiv për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Në kuadër të vizitës në Uashington, ministrja Spiropali ka zhvilluar disa takime në Kongresin Amerikan, që patën në fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në disa dimensione.

Takimet po vijojnë në Senatin amerikan, ndërkohë që agjenda e ministres Spiropali në SHBA përfshin edhe takime me zyrtarë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtuesit e “The Heritage Foundation”.

1 nga 3

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›