E Diel, 1 Nëntor 2026

Starmer nis vizitën historike në Kinë, synon forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe strategjike

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka mbërritur në Kinë për një vizitë tre-ditore, e para e një kryeministri të Mbretërisë së Bashkuar në këtë vend pas tetë vitesh.

Vizita vjen pas një periudhe të gjatë tensioni mes Londrës dhe Pekinit, ndërsa Starmer synon të forcojë lidhjet tregtare dhe kulturore midis dy vendeve.

Megjithatë, udhëtimi ka ngjallur kritika nga kundërshtarët e tij në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët paralajmërojnë për rreziqet që Kina paraqet për sigurinë kombëtare dhe për shkeljet e të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping.

Sir Keir Starmer pritet të takohet me Presidentin Xi të enjten. Para takimit, ai deklaroi se vizita do të sjellë përfitime konkrete për Mbretërinë e Bashkuar dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së një “marrëdhënieje strategjike dhe të qëndrueshme” me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

“Ne jemi të vendosur të shfrytëzojmë mundësitë, të ndërtojmë marrëdhënie dhe të mbetemi gjithmonë të fokusuar në interesin tonë kombëtar”, u shpreh kryeministri britanik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›