Startup-et shqiptare tregojnë potencialin në Slush Helsinki

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ – Shqipëria po prezantohet në një tjetër arenë të rëndësishme ndërkombëtare të inovacionit dhe teknologjisë. Nën sloganin “Albania Future Now”, vendi merr pjesë këtë javë në Slush Helsinki, një nga ngjarjet më të mëdha globale për startup-e, investitorë dhe profesionistë të teknologjisë, që zhvillohet më 19–20 nëntor.
Pas paraqitjeve në aktivitete të njohura si ITB Berlin, Gitex dhe VivaTech në Paris, pjesëmarrja në Slush vjen si një tjetër hap në prezantimin e potencialit të ekosistemit shqiptar të inovacionit.
Shqipëria paraqitet me tetë startup-e, të mbështetura nga programi EU4Innovation: DollAPP, Katalogim, LekoTech, PayStorm AI, Great Shift, TeutAI, MedApp dhe Avenirs. Këto kompani të reja po prezantojnë projektet e tyre përpara investitorëve ndërkombëtarë, partnerëve të mundshëm dhe aktorëve kryesorë të sektorit.
Kapitali njerëzor mbetet një nga pikat më të forta të zhvillimit të inovacionit në vend. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndërtuar një ekosistem gjithnjë e më funksional për sipërmarrjen e re, me programe akselerimi, mentorim dhe pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare, që kanë ndihmuar rritjen e shumë startup-eve premtuese.
Në edicionin e sivjetshëm të Slush marrin pjesë rreth 200 folës, 1700 partnerë të ekosistemit, 3500 investitorë dhe 6000 startup-e nga e gjithë bota. Startup-et shqiptare synojnë të shfrytëzojnë këtë platformë për zgjerim, bashkëpunime të reja dhe për të forcuar prezencën e Shqipërisë në hartën globale të inovacionit.
Startup-et shqiptare tregojnë potencialin në Slush Helsinki.
1 nga 4/a.f/