E Diel, 1 Nëntor 2026

Stoichkov për ATSH: Shqipëria ka cilësi, por karakteri do të jetë vendimtar në play-off-et e Botërorit

ABU DHABI  13 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ Legjenda e futbollit bullgar, Hristo Stoichkov, ka vlerësuar Kombëtaren shqiptare si një ekip me cilësi, por ka theksuar se forca mendore dhe karakteri do të jenë elementë vendimtarë në ndeshjet “play-off” për kualifikimin në Kupën e Botës.

Deklaratat Stoichkov i bëri në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptar, në kuadër të “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”.

Shqipëria do të përballet fillimisht me Poloninë, ndërsa në rast fitoreje do të luajë ndaj fitueses së çiftit Ukraine – Suedi.

Sipas Stoichkov, shorti është mjaft i vështirë dhe nuk lë vend për gabime.

“Është një short shumë i fortë. Polonia është një kundërshtar i fuqishëm, po ashtu edhe Ukraina apo Suedia. Në këtë fazë asgjë nuk është e lehtë”, u shpreh ai.

Duke krahasuar Kombëtaren shqiptare të sotme me atë të viteve më parë, Stoichkov vuri në dukje progresin e bërë ndër vite.

“Në kohën kur unë luaja kundër Shqipërisë, situata ishte ndryshe. Sot Shqipëria ka një brez të mirë lojtarësh me cilësi,” tha ai.

Megjithatë, ish-fituesi i “Topit të Artë” theksoi se mentaliteti mbetet faktori kyç.

“Kanë lojtarë të mirë, por ndonjëherë u mungon karakteri në momentet vendimtare. Megjithatë, shoh përmirësim. Ata po fillojnë të besojnë më shumë te vetja dhe kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi Stoichkov.

Ai vlerësoi gjithashtu stafin drejtues të Kombëtares shqiptare, duke e cilësuar trajnerin si një element të rëndësishëm dhe duke i uruar ekipit sukses në përballjet vendimtare.

“Keni një trajner të shkëlqyer dhe ju uroj sinqerisht shumë fat”, tha Stoichkov për ATSH.

Duke folur për talentet e rinj shqiptarë, Stoichkov kujtoi periudhën kur ishte trajner i Litex Lovech, ku kishte punuar me një futbollist shqiptar shumë premtues.

“Një nga lojtarët më të mirë të rinj që kam stërvitur ishte vetëm 17 vjeç – Armando Vajushi, që luante për Litex. Ishte shumë i talentuar dhe me potencial të madh,” tha ai.

Në vijim të intervistës për ATSH, Stoichkov foli edhe për favoritët e tij për Kupën e Botës, duke veçuar ekipet e Amerikës së Jugut dhe ato europiane.

“Në Amerikën e Jugut favoritët e mi janë Brazili dhe Argjentina. Në Europë shoh Spanjën, Francën dhe Anglinë. Edhe Holanda ka një ekip shumë të mirë. Gjithçka varet nga kush arrin në çerekfinale dhe gjysmëfinale,” përfundoi Stoichkov.

Legjenda e futbollit bullgar, Hristo Stoichkov zhvilloi një tur në ishullin Al Hudayriat në Abu Dhabi, ku ndoqi disa nga garat dhe u njoh me aktivitetet e Community Hub.

Më pas, Stoichkov u takua me sportistë dhe tifozë gjatë një sesioni “meet and greet”, duke krijuar momente të veçanta për pjesëmarrësit dhe vizitorët.

Legjenda e futbollit bullgar, Hristo Stoichkov në ishullin Al Hudayriat në Abu Dhabi Foto: And... 1 nga 19

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›