E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e opozitës për të arritur zgjedhjet e dyfishta në 2011-n

Skenari Pas daljes së rezultateve të hetimit, pritet avancimi i kërkesave politike

Reduktimi i menjëhershëm i ofertës së Partisë Socialiste për hetimin parlamentar të 28 qershorit, më shumë sesa tërheqje në negociata, ka gjasë të jetë pjesë e një strategjie veprimi. Heqja dorë nga fletët e votimit ka rrëzuar alibinë e fundit të shumicës në pushtet, e cila së fundmi ka detyrimin e një përgjigjeje të qëndrueshme, si në pikëpamje politike, ashtu edhe atë logjike. Ajo çfarë ka nisur të zërë vend në arsyetimin e përfaqësuesve opozitarë është fakti se me refuzimin e vet të vijueshëm, konstant dhe të palëkundur të ofertave të bëra, mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, thjesht po kërkon të shmangë çdo lloj këqyrjeje të materialeve zgjedhore, që priret t’i japë PS dhe aleatëve të saj iniciativën politike. Në këtë kontekst duket se merr kuptim edhe alternativa e hedhur së fundmi publikisht, për bashkimin në një datë të zgjedhjeve lokale dhe atyre të parakohshme si opsion optimal për zgjidhjen e krizës politike. Të dhënat e një hetimi parlamentar për 28 qershorin, përveçse do të legjitimojnë aksionin e deritanishëm opozitar, do të japin një frymëmarrje të re për veprimet e saj të mëtejshme, të cilat, në çdo pikëpamje, bashkohen logjikisht në një pikë; rrëzimin e Sali Berishës përpara se një proces i ri elektoral të menaxhohet prej tij sërish. Nëse Ruzhdija e përdorur gjerësisht i dha kredenciale morale Partisë Socialiste që të kërkojë zbardhjen e së vërtetës, Komisioni Hetimor Parlamentar, i refuzuar për arsye që tanimë kuptohen nga Sali Berisha, thjesht do të provojë dyshimet e saj për të ndërtuar kështu premisat e një kursi të ri në Shqipëri. Në një rast të kundërt, pra në një eventualitet kur shumica nuk pranon asnjë lloj këqyrjeje të organizuar dhe me vullnet të qartë politik, është e qartë se qeveria e tanishme nuk ka shpresë të organizojë në Shqipëri zgjedhje të pranueshme, e për pasojë të riprodhojë legjitimitetin e vet, por edhe legalitetin e vet institucional. Ky është ligjërimi opozitar i cili merr shkas sa nga situata e ngarkuar në vend, aq edhe nga arsyetimi logjik, për një vend që pretendon të jetë demokratik, pavarësisht se problemet janë mahisur deri në atë pikë, saqë edhe raporti i fundit i KE-së nënvizoi krizën që ka kapluar edhe Kuvendin e Shqipërisë. Por ky opsion duket të jetë edhe më optimali për vendin, të paktën sipas opozitës shqiptare. “Ky është një version më i pranueshëm për të zgjidhur krizën politike që ka kapur vendin. Natyrisht rruga që çon drejt kësaj, pra bashkimit të zgjedhjeve lokale me ato të parakohshme, është vetë ekzistenca e krizës, që dëshmon pamundësinë e shumicës për të marrë vendime të rëndësishme. Pra nëse vazhdohet me këtë Kuvend, që nuk mund të vendosë, është e qartë se kriza thellohet dhe ajo vetë përcakton nevojën e zgjidhjes”, tha dje kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Në njëfarë kuptimi, kjo është një ofertë politike e vetë opozitës për zgjidhjen e një krize, në themel të së cilës qëndrojnë zgjedhjet e kontestuara dhe në mënyrë më të kapshme, mosintegrimi i pakicës parlamentare në vendimmarrjen kryesore të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›