E Martë, 3 Nëntor 2026

Strategjia e punësimit dhe reforma për barazinë gjinore, takim i grupit të menaxhimit të integruar të politikave

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Nën drejtimin e zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, u zhvillua sot takimi i radhës i grupit të menaxhimit të integruar të politikave (GMIP) për fushën “Zhvillimi i kapitalit njerëzor”.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), si dhe partnerët ndërkombëtarë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Po ashtu, ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve zbatuese të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan zhvillimet më të fundit në kuadër të integrimit evropian, veçanërisht në drejtim të hapjes së negociatave për grup-kapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Një tjetër pikë kyçe ishte ratifikimi i programit operacional “Punësimi i të rinjve” në kuadër të IPA 2025, si dhe prezantimi i raportit vjetor për vitin 2024 mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Garancisë Rinore.

Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan mbi projektligjin e ri “Për barazinë gjinore”, me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor dhe avancimin e barazisë mes grave dhe burrave në tregun e punës.

Në fokus ishte edhe nxitja e zhvillimit profesional të mësimdhënësve si një nga shtyllat kryesore për forcimin e kapitalit njerëzor dhe cilësisë në arsim. /j.p/

1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›