Strehëza për viktimat e dhunës – Bashkia Korçë marrëveshje me entin kombëtar të banesave

Bashkia e Korçës lidh një marrëveshje bashkëpunimi me Entin Kombëtar të Banesave me qëllim marrjen me qira të një apartamenti për një periudhë dy vjeçare për strehimin e përkohshëm të viktimave të dhunës në familje dhe fëmijëve të tyre.
Një bashkëpunim i tillë ekziston në fakt prej vitit 2016 kur bashkia e Korçës ka krijuar strehëzën për rastet emergjente të viktimave të dhunës në familje, por marrëveshja është rilidhur për një afat tjetër dy vjeçar për shkak të përfundimit të afatit të asaj ekzistuese.
“Ky projekt është realizuar nëpërmjet marrjes me qera të një apartamenti, pronë e Entit Kombëtar të Banesave e cila funksionon si strehëz për rastet emergjente të viktimave të dhunës në familje. Bashkia Korçë meqenëse kjo marrëveshje ka përfunduar i është drejtuar këshillit Drejtues për mundësinë e marrëveshjes së bashkëpunimit. Përgjigja për këtë ka ardhur dhe janë dakord që kjo marrëveshje të firmoset dhe për 2 vjeçarin tjetër”, u shpreh Përgjegjës, Drejtoria e Kujdesit Social, Alfons Vranishti
Strehëza emergjente bën të mundur strehimin për 72 orë të viktimave të dhunës në familje dhe fëmijëve të tyre, deri sa ato të mund të ndjekin hapat e tjerë ligjorë lidhur me sigurimin e një urdhri mbrojtje nga gjykata. Vendndodhja e kësaj strehëze nuk bëhet publike për arsye të mbrojtjes së këtyre viktimave.
/RTSH/