Sulm kibernetik në postën elektronike të Kuvendit, AKSK ngre grup pune

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Posta elektronike e Kuvendit të Shqipërisë është përballur me një sulm kibernetik nga grupi i hakerave “Homeland Justice”.
Në faqen e tyre në Telegram, grupi publikoi foto nga email-e të administratës së Kuvendit, ndërsa pretendon se posedon të gjitha bisedat e deputetëve dhe korrespondencën e tyre gjatë muajve të fundit.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i strehuat vërtet ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të Homeland Justice në Telegram.
Në një mesazh tjetër shkruhet se “kjo është gjithashtu nga qasja e Homeland Justice në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit të korruptuar dhe sponsorizues të terrorizmit. Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre të urryera”.
Sakaq, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike përmes një reagimi zyrtar njoftoi se gjatë ditës së sotme është raportuar një sulm kibernetik që lidhet me postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë”, njoftoi AKSK.
Sipas AKSK “informacione të mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të vlerësimit teknik”.
1 nga 2/m.q/a.f/