Sulmet izraelite ndaj shkollës strehimore në Gazë, 52 viktima

Sulmet izraelite vranë të paktën 52 njerëz në Rripin e Gazës, këtë të hënë, përfshirë 36 në një shkollë të shndërruar në strehimore.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër militantët që operonin nga shkolla, raporton Associated Press.
Izraeli përtëriu ofensivën e tij në mars, pasi i dha fund një armëpushimi me Hamasin, grupin palestinez që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Izraelitët janë zotuar se do ta marrin kontrollin e Gazës dhe se do të vazhdojnë të luftojnë, derisa Hamasi të shkatërrohet apo të çarmatoset, dhe derisa ai të kthejë 58 pengjet e mbetura – një e treta prej të cilave besohet të jenë gjallë – që u morën gjatë sulmit të 7 tetorit të 2023-tës, e cila nxiti luftën.
Izraeli nisi të lejonte futjen e një sasie të vogël ndihmash humanitare në Gatë javën e kaluar, pasi kishte bllokuar hyrjen e të gjitha ushqimeve, ilaçeve, karburanteve dhe mallrave të tjera për 2 muaj e gjysmë.