Sulmi izraelit në tregun e Gazës vret 18 palestinezë

Të paktën 18 palestinezë janë vrarë pasi një sulm me dron izraelit shënjestroi një njësi policore të Hamasit që po përpiqej të merrte kontrollin mbi një treg në qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore, thanë për BBC-në një mjek dhe dëshmitarë okularë.
Dëshmitarë okularë thanë se dronët izraelitë qëlluan drejt anëtarëve të një force policore të Hamasit, të veshur me rroba civile, të cilët po përballeshin me shitësit që i akuzuan për rritje çmimesh dhe shitje mallrash të plaçkitura nga kamionët e ndihmave.
Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi dënoi sulmin, duke akuzuar Izraelin për kryerjen e “një krimi të ri kundër një njësie policore të ngarkuar me ruajtjen e rendit publik”.
BBC ka kontaktuar ushtrinë izraelite për koment.
Një dëshmitar okular i tha BBC-së se përleshjet shpërthyen të enjten pasi policia u përball me shitësit, me komandantin e njësisë që bërtiste: “Ose shisni me një çmim të drejtë ose do t’ju konfiskojmë mallrat”.
Disa nga shitësit më pas “nxorën pistoleta dhe një burrë kishte një Kallashnikov”, tha dëshmitari okular.
Dronët izraelitë më pas qëlluan dy raketa, thanë banorët vendas.
Pamjet tregojnë trupa të shpërndarë në tokë dhe blerës që bërtasin, ndërsa ambulancat nxitojnë për t’u ofruar ndihmë të plagosurve.
Një mjek në Spitalin Al-Aksa të Deir al-Balah i tha BBC-së se 18 trupa u ëuan në morg. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa prej të vrarëve ishin oficerë policie.

Incidenti ndodhi ndërsa civilët në Gaza vazhdojnë të kenë vështirësi në aksesin ndaj ushqimit, ndërsa pothuajse çdo ditë raportohen të shtëna përreth vendeve të shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) të mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli në Gazën jugore dhe qendrore./vizionplus.tv