Sulmi kibernetik nga Irani, Rama falënderon Izraelin: Shqipëria nuk do të ketë marrëdhënie me Teheranin

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit gjatë vizitës së tij në Izrael, duke deklaruar se Shqipëria nuk do të ketë asnjë marrëdhënie diplomatike me Teheranin, të cilin e cilësoi si një regjim të zhytur në errësirë dhe urrejtje.
Në deklaratën për shtyp në Jeruzalem, Rama tha se Irani, pavarësisht se është një vend me qytetërim të jashtëzakonshëm, është shndërruar në një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kryeministri rikujtoi sulmin kibernetik masiv të ndërmarrë nga Irani ndaj sistemeve shtetërore shqiptare, duke falënderuar Izraelin për mbështetjen kritike të dhënë në përballimin e këtij agresioni digjital.
“Ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin. Ne lutemi për shpirtrat e pafajshëm që humbasin jetën nga dhuna e këtij regjimi dhe mbajmë bindjen se ditët e vrasësve të Teheranit po shkojnë drejt fundit,” u shpreh Rama.
Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të qëndrojë krah aleatëve strategjikë në luftën kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe kërcënimeve hibride, duke e konsideruar sigurinë kibernetike si një nga prioritetet kryesore të qeverisë.
/vizionplus.tv