Sulo: Protesta ishte masive dhe e mbushur me zemërim, opozita e detyruar të vijojë

Analisti Arion Sulo e konsideroi protestën e fundit të opozitës si më seriozen. Në emisionin “Trialog”, Sulo u shpreh se ndryshe nga të tjerat, protesta e 24 janarit e opozitës ishte ndryshe për nga madhësia, zemërimi, revolta, por edhe për nga aktet simbolike.
Sipas tij, në këtë pikë, opozita duhet të vijojë me protestat, duke i cilësuar ato si të vetmen mënyrë për të rrëzuar qeverinë.
“Në këtë situatë politike, ekonomike, sociale, arsimore dhe mbi të gjitha juridike në të cilën ndodhet vendi, protesta tregoi se ka reagim. Nëse nuk do të kishim këtë opozitë dhe këtë protestë të së shtunës, imagjinoni se ku do të ishim. Dalja në protestë është bërë pothuajse një akt heroik.
Protesta ishte ndryshe për nga madhësia, zemërimi, revolta, por edhe për nga aktet simbolike. Përdorimi i gazit gjatë protestës, sipas konventave evropiane, trajtohet si mjet me rrezikshmëri të lartë për të gjitha grupmoshat.
Nëse do të kemi katër apo pesë protesta të tilla çdo javë, jam shumë në dilemë nëse do të shohim një qeveri që mban status quo-në që ka sot. Me këtë protestë masive dhe të mbushur me zemërim, opozita është e detyruar të vazhdojë të paktën në këtë nivel. Më mirë do të ishte që protestat të shtoheshin, opozita të punonte për besimin e qytetarëve dhe të tregonte aftësinë e saj”, tha Sulo.
/rtsh.al/